Ministri i Arsimit dhe Shkencës, zoti Myqerem Tafaj, priti në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, z. Hamadoun Toure. Ministri Tafaj informoi z. Toure mbi arritjet e viteve të fundit në arsimin shqiptar të realizuara nëpërmjet futjes së pajisjeve kompjuterike në të gjitha shkollat dhe nxitjes së përdorimit të tyre nëpërmjet rritjes së kompetencave në TIK të mësuesve dhe nxënësve. Gjithashtu, Ministri Tafaj, informoi pjesëmarrësit mbi krijimin e profileve të reja të studimit në arsimin e mesëm dhe të lartë të orientuara në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikacionit. Ministri Tafaj, falenderoi Z. Toure për vizitën dhe për mbështetjen që ITU i jep Qeverisë Shqiptare.
Z. Toure, gjithashtu, vlerësoi mjaft pozitivisht përkushtimin e Qeverisë Shqiptare në realizimin e axhendës digjitale, e cila është e harmonizuar me misionin e ITU për të lidhur botën. Z. Toure, falenderoi Ministrin Tafaj për mikpritjen dhe e ftoi atë për një intensifikim të bashkëpunimeve dypalëshe.
Gjatë takimit Z. Toure ishte i shoqëruar nga Z. Jaroslaw Ponder, i cili është Koordinator ITU për Europën.