English

Berisha në përkujtimin e 66 vjetorit të Kryengritjes së Postribës

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e përkujtimit të 66 vjetorit të Kryengritjes së Postribës, të organizuar në 9 shtator 1946, kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri dhe në Evropë. Në këtë ceremoni morën pjesë Kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli, deputetë të zonës, Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Lorenc Luka, përfaqësues të qeverisjes vendore, Kryetari i Komunës së Postribës, familjarë të pjesëmarrësve në këtë kryengritje, banorë të zonës, etj.

Fillimisht, Kryeministri Berisha dhe personalitetet e tjera vendosën kurora me lule dhe bënë homazhe te Memoriali kushtuar kësaj ngjarjeje historike, në qendër të komunës Postribë.

Gjithashtu, në shenjë simbolike Kryeministrit Berisha i dhuruan një Flamur të qëndisur të studentëve të shkollës “Adem Haxhia”. Duke shprehur kënaqësinë e madhe dhe falënderimet për këtë dhuratë, Kryeministri vlerësoi se “ky flamur, në qelizat e të cilit prehen shpirtrat e martirëve të Postribës, por dhe të gjithë martirëve të Shqipërisë, është flamuri me i bukur që ka toka sot”.

Në fjalën e tij, Kryeministri shprehu nderimin më të thellë të tij dhe të mbarë kombit shqiptar, për këtë ngjarje që shndrin e do vazhdojë të shndrijë përjetë në historinë e njerëzve të lirë, pasi, siç theksoi ai, “Kryengritja e Postribës është dhe mbetet në historinë e lirisë së shqiptarëve, ngjarja me e madhe, nga viti 1944 deri në vitin 1990”.

Kryeministri u shpreh më tej se, sot, ne shqiptarët ecim të lirë në rrugën e idealeve fisnike të kryengritësve të Postribës, por dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e atdheut, sepse ne kemi realizuar ëndrrën madhështore për të cilën ata sakrifikuan jetën dhe rininë e tyre. “Ata donin që Shkodra, Postriba dhe Shqipëria, të mbanin syrin, shikimin, drejt perëndimit, drejt familjes së kombeve që vendi i tyre u përkiste, donin që qytetarët shqiptarët të besonin të lirë te Zoti, Krishti, Muhameti dhe e ardhmja e tyre”, theksoi Kryeministri Berisha.

KOMENTE