Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një telegram urimi Ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Poposki, me rastin e shënimit të 21 vjetorit të pavarësimit të Maqedonisë.
Në letër, Ministri Hoxhaj, në emër të qytetarëve dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës ka uruar qytetarët dhe institucionet e shtetit fqinj, për këtë festë shtetërore.
Hoxhaj po ashtu ka theksuar relacionet shumë të mira ndërmjet dy vendeve, të karakterizuara nga bashkëpunimi dhe mbështetja reciproke në shumë fusha, duke shprehur vullnetin e institucioneve të Kosovës për thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve.
“Ne besojmë se marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe dy popujve tanë do të thellohen më tutje”, thuhet ndër të tjera, në letrën e Ministrit Hoxhaj.