English

Rama- Reeker: Do ta bëjmë Shqipërinë një vend europian jo vetëm gjeografikisht

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama priti në një takim të veçantë Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, z. Philip T. Reeker.
Pas takimit të zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste, Kryetari Rama dha këtë prononcim për mediat:

“Ishte si ngaherë një kënaqësi e veçantë të mikprisnim në selinë tonë, përfaqësues nga Departamenti i Shtetit. Por sot, ishte kënaqësi e dyfishtë sepse zoti Reeker e viziton Shqipërinë në një mision pune në detyrën e tij të re për herë të parë. E po ashtu i dedikon vendit tonë dhe qytetarëve të këtij vendi një vizitë relativisht të gjatë. Gjë që ne e çmojmë si shprehje të vëmendjes, të respektit dhe të miqësisë që lidh popujt dhe vendet tona.
Nga ana tjetër ishte një rast i shkëlqyer për të konfirmuar bazën shumë solide të partneritetit dhe po ashtu edhe qëllimet e përbashkëta për perspektivën e vendit dhe të rajonit, lidhur me familjen europiane dhe me botën demokratike.
Së treti, pa asnjë dyshim, duke u fokusuar tek perspektiva demokratike dhe europiane e vendit ne shkëmbyem, po ashtu, shqetësimet dhe idetë lidhur me përshpejtimin e progresit të vendit, qoftë në drejtim të familjes europiane, qoftë në drejtim të atyre standardeve demokratike që do ta bëjnë Shqipërinë një vend europian jo vetëm gjeografikisht, jo vetëm si vokacion i mbarë popullit shqiptar, por dhe si një shtet me institucione të forta dhe të pavarura dhe padyshim me një parlament që të përfaqësojë shqiptarët, qoftë në qeveri, qoftë në opozitë, brenda standardesh si ato që, sot e gjithë ditën, e karakterizojnë parlamentarizmin në familjen europiane.”

KOMENTE