English

“Shqipëria është grua”. Gratë kanë forcë të ndryshojnë mentalitete, shprehet Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste ka filluar një sërë takimesh nëpër rrethe për të ristrukturuar dhe riorganizuar degët e këtij forumi në rrethe.
Kavaja ka qënë qyteti i parë i këtyre takimeve ku ai ka mbajtur një fjalim para ku ka theksuar se gruaja me mendësinë se saj solli ndryshimin për herë të parë në këtë qytet.

“Nuk ka shembull më të fuqishëm se sa Kavaja për të treguar se ndryshimi është i mundur në të gjithë vendin”.

Mes një publiku tërësisht femëror, gjatë Forumit të Gruas, nën sloganin “Shqipëria është grua”, Kryetari i PS Edi Rama tha se gratë në të gjithë Shqipërinë kanë forcën të ndryshojnë mentalitete, të transformojnë mendësi, të thyejnë barriera e të krijojnë një shembull të shkëlqyer për të ndryshuar shoqërinë ku jetojnë sot.
Partia Socialiste, është familja e madhe ku gratë, ato që dëshirojnë një botë më të mirë për fëmijët dhe veten, ato që dëshirojnë një Shqipëri tjetër, i kanë të gjithë mundësitë të kontribuojnë e të bëhen protagoniste të vërteta të këtij ndryshimi, i cili do të vijë jo duke ndërruar një parti me një tjetër, por duke ndërruar faqen e historisë së këtij vendi.

“Ju morët përsipër që të mos pajtoheshit më me inercinë e një historie të vjetër dhe bajate, dhe së bashku shkruat një faqe të re të historisë së qytetit tuaj.

Ju morët përsipër që të mos mjaftoheshit me ato gjëra që i duhen njeriut në të përditshmen e vet, për tu ngrysur dhe për t’u gdhirë individualisht, dhe u bëtë bashkë, duke transformuar praktikisht, një mendësi. Mendësinë se në Kavajë asgjë s’ mund të ndodhë. Në Kavajë ka një monopol të një partie. Në Kavajë ka një sundim të paracaktuar të një grushti njerëzisht dhe gjithë jeta jonë do kaloj kështu nën këtë parti e nën këtë grup njerëzish e me po të njëjtën histori që përsëritet. Në fakt nuk ndodhi kështu dhe të gjithë atyre që pyesin apo që të shqetësuar duan të dinë si mund të ndryshojë gjendja në të cilën ndodhemi, nuk ka shembull më të fuqishëm sesa Kavaja dhe historia që ju po shkruani së bashku, për t’u treguar se gjendja mund të ndryshojë. Por nuk mund të ndryshojë vetë, gjendjen mund ta ndryshojnë njerëzit së bashku.”


Për Ramën Partia Socialiste ofron alternativa reale. Ka një program ambicioz dhe është e vetmja forca politike me mendje të hapur e këndvështrim të gjerë mbi shoqërinë dhe të ardhmen.

“Arsimi, punësimi, lehtësirat sociale dhe në tërësi integrimi i grave dhe i vajzave në jetën publike dhe në procesin politik, i nënkuptuar si proces qytetar në radhë të parë, janë prioritetet tona në raport me gratë dhe me vajzat shqiptare.
Janë prioritete të cilat ne do ti ndjekim me shumë këmbëngulje, bazuar në programin tonë të ri. Është një program i cili është pasuruar dhe unë shpresoj të vazhdoj të pasurohet edhe me kontributin tuaj dhe të gjitha grave dhe vajzave në të gjithë Shqipërinë, për të bërë të mundur që në vitin 2013 të mos ndërrojmë një parti me një tjetër dhe të vazhdojë avazi i vjetër. Por të ndërrojmë faqen e historisë së këtij vendi, siç e ndërruat ju një vit më parë këtu në Kavajë, për qytetin tuaj.”

Rama kërkoi nga gratë protagonizëm, në familje, por edhe në politikë, në jetën sociale dhe në atë profesionale. Diversiteti i çdokujt nga ne është baza e një shoqërie me të mirë që duam të ndërtojmë, e asaj shoqërie ku gruaja të jetë një figurë kyçe në të gjithë kompleksitetin, lirinë dhe individualitetin e saj.

KOMENTE