Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi ka shpërndarë në datën 7 shtator 2012 çmimin e mirënjohjes publike dhe të shpërblimit shkencor për tre informaticienet që vunë në zbatimin planin e dixhitalizimit të drejtësisë.
Ministri në fjalën drejtuar të pranishme i cilësoi ata si “Tre novatorë të Shqipërisë Dixhitale, tre qytetarë që me mendjen, zgjuarsinë dhe inteligjencën e tyre i dhuruan publikut tre portalet kryesore të planit tonë të dixhitalizmit te drejtësisë.”
Për krijimin dhe realizimin e portalit “One stop shop për noteret”, në emër të qeverisë Shqiptare Ministri Halimi i dha “ “Çmimin e mirënjohjes publike” dhe një shpërblim shkencor prej 1 milion lekësh, Z. Aristotel Agaraj. Ky projekt iu dhurua Ministrisë së Drejtësisë duke i kursyer buxhetit të shtetit 300 mijë euro. Ministri Halimi me këtë rast u shpreh se “ Qytetarëve iu dhurua një sistem dixhital modern për t’i larguar njëherë e mire nga radhët, nga lodhja dhe burokracitë.”
Për krijimin e Portalit elektronik të shërbimeve në ZRPP në emër të qeverise shqiptare Ministri Halimi i dorëzoi informaticienit të ZRPP-së, z. Xhevair Llakaj çmimin e shpërblimit shkencor, me vlerën 250.000 lekë .“Përkushtimi , vullneti, inteligjenca e këtij burri te mençur beri qe ai te ndërtoje një portal dixhital ndër më modernet në rajon me standardet evropiane, por mbi të gjitha e bëri atë pa asnjë kosto për buxhetin e shtetit dhe në një kohë shumë të shkurtër.”- u shpreh Ministri gjatë dorëzimit të këtij çmimi.
Për realizimin e projektit më të rëndësishëm në sistemin gjyqësor Portali On line i Gjykatave, Ministri Halimi i dorëzoi z. Agim Kasaj, Drejtor i IT-së në ministri, shpërblimin shkencor, për krijimin e portalit dixhital te sistemit gjyqësor, me vlerën 250.000 leke .
“Ai transformoi plotësisht sistemin. Prodhoi një portal të ri : Gjykatat.gov.al. Portali është funksional dhe është vlerë e shtuar në sistemin e drejtësisë. U realizua me kosto minimale dhe cilësi të standardeve evropiane.”- tha ministri Halimi ndërsa e cilësoi z. Kasaj mbrojtës të investimit 5 milionë euro, bërë kohë më parë nga Bashkimi Europian për ngritjen e infrastrukturës informatike në gjykata.
Në mbyllje të kësaj ceremonie ministri i Drejtësisë, tha se “Gjesti i sotëm është vëmendja që qeveria shqiptare tregon ndaj njerëzve novatore, punonjësve te talentuar, punonjësve shkencore, te cilët e meritojnë plotësisht këtë mirënjohje publike ne emër te qeverisë”.