English

Jakup Krasniqi pret ministrin turk Mehmet Simsek

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot ministrin e Financave të Republikës së Turqisë, Mehmet Simsek, i cili po qëndron në Kosovë në krye të një delegacioni, në kuadër të manifestimeve për heqjen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Në takim është biseduar për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.
Kryeparlamentari Krasniqi e ka falënderuar shtetin turk për mbështetjen e Kosovës para, gjatë dhe pas lufte, si dhe për angazhimet aktuale të institucioneve shtetërore turke për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës. Ai ka theksuar avancimet e Kosovës në shtetndërtim dhe në thellimin e demokracisë parlamentare, por ka theksuar edhe nevojën e ngutshme të Kosovës për zhvillim më të madhe ekonomik të vendit, duke spikatur në këtë mes rolin e madh që mund të luajnë investitorët turq.
"Turqia e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën ekonomikisht dhe politikisht, si dhe të vazhdojë të lobojë për më shumë njohje për Kosovën dhe për anëtarësimin e saj në mekanizma ndërkombëtarë", ka theksuar ministri i Financave i Republikës së Turqisë, Mehmet Simsek, duke veçuar interesin për antarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane të Invesstimeve. Këtë përkushtim të vendit të tij për Kosovën ministri turk e ka ilustruar me nënshkriumin e sotëm me Ministrinë i Ekonomisë dhe të Financave të marrëveshjes për heqjen e taksave të dyfishta në këmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve.
Duke pohuar se në të kaluarën edhe vendi i tij priste me shpresë investitorët e huaj, tani ka thënë Simsek, turqit investojnë shumë në vende të tjera, duke e përmendur një zonë të tillë ekonomike të Turqisë në Egjipt, e cila punëson rreth 80 mijë egjiptianë. Ai ka vënë në pah po sa të kthehet në Ankara, do ta njoftojë Kabinetin Qeveritar dhe investitorët turq për lehtësitë që po krijon Kosova për investimet e huaja këtu, të cilat , është shprehur i bindur Simsek, do të dinë t'i shfrytëzojnë afaristët turq.

KOMENTE