Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndet Deklaratën e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, të 10 shtatorit 2012, e cila shpall sot përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar.
Ministria e Punëve të Jashtme përgëzon Qeverinë dhe tërë popullin e Kosovës për këtë arritje historike në konsolidimin e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, të institucioneve të saj demokratike multietnike gjithëpërfshirëse, plotësisht funksionale në të gjithë territorin e vendit.Ajo shpreh bindjen se udhëheqja politike dhe i tërë populli i Kosovës, të ndërgjegjshëm për sfidat që kanë përpara, do të vazhdojnë të respektojnë dhe zbatojnë me energji parimet e shtetit ligjor, duke u bërë një faktor paqeje, sigurie dhe stabiliteti në rajon.Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm domethënës për të gjithë Ballkanin, për tu ndarë përfundimisht nga e kaluara dhe hapur kapitullin e mundësive të reja të prosperitetit, bashkëpunimit, paqes dhe integrimit.Ministria e Punëve të Jashtme shpreh besimin se Qeveria dhe populli i Kosovës, me përkushtimin e tyre dhe mbështetjen e fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë, do të ecin me vendosmëri drejt zhvillimit të reformave transformuese që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve të saj dhe integrojnë vendin në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Ajo vlerëson angazhimin serioz të Republikës së Kosovës në dialogun me Republikën e Serbisë dhe vullnetin e saj për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve, si elementë thelbësorë dhe faktorë të rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal dhe më gjerë. Duke uruar Qeverinë dhe popullin e Kosovës për këtë arritje historike, Ministria e Punëve të Jashtme siguron për mbështetjen e saj të pakursyer në rrugën e nisur drejt familjes së madhe evropiane dhe euro-atlantike.