Presidenti Nishani ka uruar të gjithë nxënësit për vitin e ri shkollor 2012-2013. Në mesazhin e tij thuhet:
Të dashur nxënës,
Të nderuar mësues dhe drejtues të institucioneve arsimore,
Të dashur prindër!
Kam kënaqësinë e veçantë si President i Republikës që me rastin e fillimit të vitit të ri arsimor 2012-2013 t’ju përshëndes e t’ju përcjell urimet më të përzemërta për këtë ditë, që shënon një fillim tjetër të ri në rrugëtimin e shoqërisë shqiptare drejt diturisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur.
Urimi im i parë shkon për ju nxënës, që për herë të parë sot do të uleni në bangat e shkollës për t’u njohur me mësuesen e parë, me bashkëmoshatarët tuaj dhe shokët e klasës.
Në mënyrë të veçantë, ju përgëzoj dhe uroj ju nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, sepse jeni në vijim të formimit tuaj arsimor dhe tashmë keni të qartë idenë mbi ecurinë tuaj të mëtejshme në kërkim të dijes e të një profesioni të duhur e të përshtatshëm në të ardhmen.
Sot është dita kur ju bëj thirrje të gjithë familjarëve dhe fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, t’i rikthehen sa më parë asaj.
Gjithashtu ju uroj mirëseardhjen të gjithëve ju, fëmijëve të emigrantëve që jeni rikthyer në Shqipëri, duke besuar se do t’ju krijohen të gjitha mundësitë për përmirësimin e njohurive në gjuhën amtare si dhe në lëndët e tjera ku ju keni nevojë.
Sot është edhe dita juaj, të dashur mësues. Kam kënaqësinë që me anë të këtij mesazhi të shpreh vlerësimin tim dhe mirënjohjen për të gjithë përkushtimin, profesionalizmin, vlerat dhe virtytet njerëzore që ju dini të dëshmoni dhe transmetoni gjatë punës suaj në edukimin e brezave të ardhshëm. Këtu desha të përgëzoj Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, për nismën e saj në futjen e shërbimit psikologjik shkollor, që do të synojë në angazhimin e trajtimit të problemeve, që kanë të bëjnë me sigurimin e të drejtës për arsim, me fokus fëmijët me aftësi të kufizuar, fëmijët romë, egjiptianë dhe të gjithë fëmijët në nevojë.
Në këtë 100–vjetor të Pavarësisë ky mision i juaji, të dashur mësues, merr një domethënie dhe rëndësi të jashtëzakonshme në ruajtjen e traditës dhe zhvillimit të mëtejshëm cilësor të arsimit shqiptar, sepse mendja e një kombi është arsimimi i tij.
Të dashur nxënës dhe mësues, kudo ku jeni,
Është detyra jonë e përbashkët zhvillimi progresiv i vendit, përmbushja dhe përballja me sukses e sfidave integruese në familjen e madhe evropiane, ku arsimimi është dhe mbetet një ndër hallkat më të rëndësishme të këtij procesi.
Gëzuar dhe suksese në vitin e ri arsimor 2012-2013!