Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në një takim Grupin Këshillues të Komitetit të IPU për Çështjet e Kombeve të Bashkuara, OKB.
Pasi uroi mirëseardhjen, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi bashkëpunimin e Parlamentit dhe institucioneve të tjera shqiptare me të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri si dhe zbatimin me sukses të programeve për zhvillim, e veçanërisht të programit “Një OKB”.
Përfaqësuesit e IPU për Çështjet e OKB shprehën kënaqësinë për këtë vizitë ndërsa theksuan impresionet e tyre mbi zhvillimin pozitiv dhe të dukshëm të Shqipërisë. Ata shprehën interesin për të njohur më shumë mbi Shqipërinë, historinë por dhe zhvillimet më të fundit në vend, rolin e Parlamentit në miratimin e reformave të integrimit, performancën ekonomike, bashkëpunimin e Parlamentit me Zyrën e OKB në Tiranë, situatën në rajon etj.
Duke i’u përgjigjur interesit të përpaqësuesve të IPU, Kryetarja Jozefina Topalli bëri një përmbledhje të shkurtër të historisë së vendit tonë, nga periudha e Mbretit Zog, më pas regjimi diktatorial ku për 50 vite resht, Shqipëria u shndërrua në një nga vendet më të izoluara në botë deri në rrëzimin e këtij regjimi dhe 20 vitet demokraci, ku vendi është tranformuar tërësisht.
“Në 20 vite Shqipëria është transformuar duke lënë pas historinë e errët të komunizmit. Sot vendi është anëtar i NATO-s, shqiptarët lëvizin të lirë në vendet Shengen dhe po bëhen përpjekje serioze për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, i cili mbetet për ne, objektiv kombëtar. Parlamenti ka një rol të rëndësishëm në këtë proces, ka një bashkëpunim midis palëve për të çuar përpara reformat. Periudha e vështirë e bojkotit të opozitës dhe bllokimit të reformave tashmë i përket të kaluarës.” tha Kryetarja Jozefina Topalli.
Lidhur me përfaqësimin e grave në Parlament, Keryetarja e Kuvendit tha se tashmë është miratuar kuota 30 % në Kodin Elektoral, megjithëse mbeten ende përpjekje për t’u bërë në zbatimin e saj. Shpresoj që në zgjedhjet e reja, tha Kryetarja Jozefina Topalli kjo kuotë të plotësohet dhe përveç parlamentit edhe gjysma e përfaqësuesve të qeverisë të përbëhet nga gratë.
Zonja Jozefina Topalli tha se Shqipëria është një ndër të paktat vende në Europë dhe më gjerë që pavarësisht efekteve të krizës globale nuk ra në reçension dhe vendi vijon të shënojë rritje ekonomike. Ajo njohu delegacionin e IPU me rritjen e investimeve të huaja në vend, filozofinë e mbështetjes së bizneseve , realizimin e një sërë projektesh të mëdha infrastrukturore, energjetike etj të cilat jo vetëm i japin një hov të rëndësishëm zhvillimit të vendit por krijojnë edhe mijëra vende të reja pune.
Duke u ndalur tek situata në rajon, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se pas pavarësisë së Kosovës ka një frymë kokstruktive ku Shqipëria dhe shqiptarët luajnë një rol të rëndësishëm.