English

Haxhinasto, inspekton punimet në HEC-in Ashta 1 dhe Ashta 2

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Edmond Haxhinasto, inspektoi sot punimet në HEC-in Ashta 1 dhe Ashta 2, me një fuqi të instaluar prej rreth 50 MW.

Tashmë punimet pothuajse kanë përfunduar në HEC-in Ashta 1, i cili është i lidhur në rrjet me linjën 110 kW, ku dhe janë kryer edhe testet e komisionimit. Data 18 shtator ështe programuar si dita e inagurimit të kësaj vepre.

“Kjo është një vepër shumë e rëndësishme, për zbatimin e së cilës është përdorur një teknologji dhe cilësi mjaft e lartë,” tha ministri Haxhinasto gjatë vizitës në HEC. Ai vlerësoi këtë investim të realizuar nga kompania austriake VERBUND si shumë të rëndësishëm dhe i ftoi ata të marrin pjesë në vepra të tjera hidroenergjetike, të cilat po përgatiten.

“Ky HEC do të ketë një impakt shumë pozitiv si për sektorin e energjetikës në veçanti, ashtu edhe për ekonominë e vendit në përgjithësi,” shtoi z. Haxhinasto.

HEC Ashta 1, së bashku me Ashta 2, përbën një investim total prej 200 milion Euro dhe ka nje fuqi të kombinuar prej 50 MW. Ndërkohë, vazhdojnë me intensitet punimet e HEC-it Ashta 2, i cili parashikohet të përfundojë në fund të këtij vitit. Kjo vepër hidroenergjetike do të mundësojë prodhimin e një energjie elektrike mesatare vjetore prej 230 GWh/vit.

Ministri Haxhinasto tha se energjia e prodhuar nga HEC Ashta 1 dhe 2 shton kapicitetet për konsum të brendshëm, por gjithashtu do të përdoret edhe për eksport.

Kompanitë e njohura austriake ne fushën energjetike “VERBUND-International GmbH” dhe EVN janë pronarët e kompanisë “Energji Ashta” shpk.

KOMENTE