English

Kryeministri Berisha uron nxënësit nga Lezha

Në ditën e parë të viti të ri shkollor 2012, Kryeministri Berisha zgjodhi t‘i urojë gjithë nxënësit e Shqipërisë për një vit shkollor të mbarë e të suksesshëm, nga shkolla 9-vjeçare “Besëlidhja”, në Lezhë, një shkollë e re, e cila u inaugurua po dje nga Kryeministri.

Kryeministri Berisha, pasi preu shiritin e inaugurimit të kësaj shkolle, një investim prej 1.4 milionë euro nga buxheti i shtetit, vizitoi më pas klasat e saj, veçanërisht klasën e parë, ku përshëndeti vogëlushët që ulen për herë të parë në banka dhe i uroi ata të ecin sa më lart në shkallët e dijes dhe të kenë sukses në këtë vit të parë të shkollës. Kryeministri vizitoi gjithashtu edhe kabinetin e informatikës dhe pa nga afër funksionimin e tij. Kryeministri shprehu vlerësimin për punën cilësore të bërë në ndërtimin e kësaj shkolle të re dhe pajisjen e saj me të gjitha ambientet dhe pajisjet e duhura shkollore, që krijojnë kushte optimale për një mbarëvajtje cilësore të mësimit.

Të pranishëm në ceremoninë e çeljes së ditës së parë të mësimit në këtë shkollë, ishin edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj, Prefekti i Lezhës, Kryetari i Bashkisë, deputetë të zonës, autoritete të tjera vendore e shumë prindër.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh se, 560 mijë nxënës në mbarë vendin nisin garën më fisnike, më të rëndësishme të jetës së tyre, garën e dijes, duke i uruar ata që që të ecin gjithnjë e më lartë në këtë garë dhe të bëhen çdo ditë e më të dijshëm, në interesin e tyre, të familjeve dhe shoqërisë shqiptare. Veçanërisht, Kryeministri uroi 36 mijë vogëlushët që hyjnë në klasat e para të vendit dhe që, këtë vit, kanë në dorë Abetaren e parë mbarëkombëtare në historinë e vendit.

“Shqipëri e dijes”, theksoi Kryeministri mbetet vizioni më i rëndësishëm i qeverisë dhe, në këtë kontekst, janë përpjekjet më serioze. Në mbarë vendin, në 71 për qind të gjithë shkollave të vendit, nxënësit ulen në shkolla të ndërtuara të reja apo të rindërtuara. Në të gjitha shkollat e Shqipërisë është shtrirë internetin dhe po pajiset ato me laboratorët më modernë. Gjithashtu, në këtë vizion të qeverisë për “Shqipërinë e dijes”, mësuesi është vendosur në një piedestal të lartë, duke u shpërblyer për punën e tyre me rroga 120 për qind më të mëdha se rreth 8 vite më parë.

KOMENTE