Kryeministri Berisha, në kuadrin e politikave të krijimit të vendeve të punës nëpërmjet nxitjes së biznesit dhe lehtësimit të klimës së tij, firmosi dy vendime të rëndësishme.
Së pari, Kryeministri firmosi vendimin për krijimin e Fondit Grant të qeverisë për financimin e bizneseve artizanale në Shqipëri.
Artizanati është një nga traditat më të çmuara kulturore dhe ekonomike të Shqipërisë dhe ka një potencial të madh të vetëpunësimit dhe punësimit në të gjitha zonat e vendit. Prodhimet artizanale shqiptare po bëhen gjithnjë e më të preferuara për shqiptarët dhe të huajt.
Ndaj, me këtë Fond fillestar prej rreth 50 milionë lekësh, qeveria synon të krijojë një burim të ri financimi direkt të veprimtarive artizanale në të katër anët e vendit, por edhe zbutjen e interesave të kredive.
Qeveria u bën thirrje me këtë rast, të gjitha qeverive vendore që në interes të punësimit të qytetarëve të bashkive dhe komunave ku ata qeverisin, të krijojnë dhe ata, brenda mundësive që kanë, fonde të tillë dhe të parashikojnë të gjitha lehtësirat e mundshme logjistike për këtë degë të rëndësishme për punësimin e qytetarëve.
Gjithashtu, krijimi i këtij Fondi i shërben jo vetëm rigjallërimit të këtij sektori, por edhe ruajtjes së traditës së prodhimeve artizanale shqiptare.
Po sot, me një vendim të dytë, Kryeministri firmosi disa ndryshime në vendimin për kasat fiskale.
Ky vendim parashikon uljen me rreth 60 përqind të pagesës vjetore që paguan çdo biznes në Shqipëri për mirëmbajtjen e pajisjes fiskale. Nga 9400 lekë që është paguar deri më tani, pagesa vjetore e mirëmbajtjes bëhet vetëm 4000 lekë. Pra, e theksoj, do të jetë më pak sesa gjysma e pagesës që bëhej më parë.
Gjithashtu, me këtë vendim të ri, biznesit do t’i kërkohet certifikimi i funksionimit të kasës fiskale vetëm një herë në vit dhe jo çdo 6 muaj, siç kërkohej deri tani.
Ky vendim u mor për t’i ardhur në ndihmë biznesit, duke ulur kostot dhe lehtësuar procedurat administrative, me të cilën biznesi përballet.