Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë sot në ceremoninë zyrtare të betimit të anëtarit të ri të Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli.
Pas një takimi kortezie me Kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, Presidenti i Republikës u përshëndet dhe me anëtarë të tjerë të kësaj gjykate. Në prani të tyre, zonja Beçaj i uroi mirëseardhjen Kryetarit të Shtetit, duke nënvizuar faktin se kjo vizitë është një shenjë vëmendjeje dhe konsiderate për institucionin që ajo drejton, si dhe për pushtetin gjyqësor në përgjithësi. Gjithashtu, Kryetarja e Gjykatës së Lartë i shprehu Presidentit Nishani gatishmërinë e këtij institucioni për të qenë bashkëpunues dhe përkrahës i përparësive të Presidentit të Republikës në fushën e drejtësisë, duke theksuar se ridimensionimi i Gjykatës së Lartë në drejtim të përmbushjes së detyrave të sanksionuara në Kushtetutë është në fokus të nismave të marra për ndryshimin e ligjit organik të këtij institucioni.
Në fjalën e rastit, Presidenti i Republikës Bujar Nishani vuri në dukje kënaqësinë e veçantë për pjesëmarrjen në ceremoninë e betimit të zotit Artan Zeneli, duke nënvizuar rolin e kësaj Gjykate si autoriteti më i lartë i ushtrimit të pushtetit gjyqësor në vend. Kryetari i Shtetit theksoi përgjegjshmërinë dhe domosdoshmërinë e garantimit prej trupës së gjyqtarëve të kësaj Gjykate të besimit tek drejtësia dhe të zbatimit sa më korrekt të ligjit. “Konsolidimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë”, – u shpreh më tej Presidenti Nishani, “mbetet një ndër synimet strategjike në procesin e reformës në drejtësi. Është e një rëndësie të veçantë arritja e një konsensusi mbi ndryshimet e ligjit për Gjykatën e Lartë në Kuvendin e Shqipërisë”.
Pas leximit të formulës së betimit nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, zoti Artan Zeneli u betua si anëtar i ri i Gjykatës së Lartë. Për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme dhe përgjegjësive e angazhimeve ajo mbart, gjyqtarit Artan Zeneli iu shprehën urimet më të përzemërta nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.