English

Berisha inaguron shkollën e re në Qesarakë-Dajt

Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot në inaugurimin e shkollës së re në fshatin Qesarake të Komunës Dajt në Tiranë. Kryeministri shprehu kënaqësinë për inaugurimin e kësaj shkolle të re, e cila kap vlerën e një investimi prej 70 milion lekësh dhe ka një kapacitet prej 580 nxënësish. Pasi ka inspektuar disa nga ambientet e brendshme moderne të kësaj shkolle, Kryeministri siguroi Kryetarin e Komunës, se qeveria do të bëjë gjithçka, për ndërtimin në këtë komune të një sistemi kopshtesh dhe shkollash ndër me modernet.

Kryeministri u shpreh se për qeverinë, arsimi është dhe mbetet prioritet duke shprehur kënaqësinë për arritjen, në sistemin arsimor, të disa nga treguesit e vendeve të zhvilluara. Kryeministri theksoi se qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka që nxënësit shqiptarë të shkollohen sa më mirë, të shkollohen në standardet e bashkëmoshatarëve në vendet e zhvilluara të Europës, pasi, - siç u shpreh ai -ne besojmë se Shqipëria do të mund të vendoset ndër vendet e zhvilluara, vetëm si një Shqipëri e dijes, si një Shqipëri e shkollimit, si një Shqipëri e ideve e në këtë kontekst përcaktues është sistemi arsimor dhe cilësia e tij.

Shtrirja e internetit në të gjitha shkollat është një tjetër arritje që qeveria ka shënuar gjatë këtyre viteve ndërkohe që Kryeministri Berisha premtoi se do të ecet me shpejtësi që shtrirja e tij të bëhet në të gjitha klasat.

Duke u ndalur tek investimet që ka bërë qeveria në fushën e arsimit, Kryeministri Berisha theksoi se, në këtë hark kohor 7 vjeçar, qeveria ka ndërtuar apo rindërtuar 71% të të gjitha shkollave të vendit, ndërkohe që ka premtuar ndërtimin dhe rindërtimin e të gjitha shkollave të tjerat që kanë mbetur, në mënyrë që fëmijët shqiptarë të ulen në bankat e shkollave me standardet më të mira.

Gjithashtu Kryeministri Berisha është shprehur se qeveria në epiqendër të shkollës ka vendosur dhe do të vendosë mësuesin, këtë misionar të madh, i cili është për nxënësit, pas prindërve e vëllezërve dhe motrave, njeriu më i dashur, me i çmuar dhe theksoi se në një hark kohor të shkurtër qeveria dëshmoi respektin dhe vlerësimin maksimal për misionin e tij fisnik. “Nuk ka ndonjë vend tjetër, i cili të ketë rritur rrogat e mësuese nga 100 deri në 140 për qind, siç i ka rritur Shqipëria në këtë periudhë të shkurtër. Ne i përkasim sot grupit më të vogël të vendeve, në të cilat rroga e arsimtarit në piramidën e rrogave të administratës qëndron qartësisht mbi rrogën mesatare të vendit”, theksoi kryeministri.

Kryeministri Berisha ka garantuar mësuesit dhe mësueset, se ky kurs, ky qëndrim do të vazhdojë përsa kohë shqiptarët do të votojnë Partinë Demokratike dhe aleatët e saj. Kryeministri ka theksuar se qeveria do të vazhdojë punën për konsolidimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit arsimor duke bërë reforma të thella për arritur nivelet më të larta.

KOMENTE