English

Panariti-Hoxhaj. Komision i Përbashkët ekonomik Shqipëri-Kosovë

Gjatë qëndrimit në Kosovë Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, zhvilloi një takim me homologun e tij kosovar z. Enver Hoxhaj. Në fillim të takimit z. Panariti e uroi z. Hoxhaj për përfundimin me sukses të procesit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, i cili është një dëshmi e konsolidimit të institucioneve demokratike të Kosovës dhe shtetit të së drejtës.

Ai i konsideroi të shkëlqyera marrëdhëniet politike ndërmjet të dy shteteve dhe shtroi nevojën për konsolidimin e mëtejshëm të tyre, në të gjitha fushat, si atë ekonomike, kulturore, sociale etj.

Duke iu referuar situatës së brendshme në Kosovë, z. Panariti theksoi mbështetjen e vendosur të qeverisë shqiptare për ushtrimin e plotë të sovranitetit në tërë territorin e Kosovës. Ai përshëndeti ecurinë pozitive të procesit të integrimit të Kosovës në rajon, në strukturat evropiane dhe euro-atlantike.

Nga ana e tij, Ministri Hoxhaj e vlerësoi këtë vizitë si të parën e një zyrtari të lartë shtetëror pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Ai e falënderoi homologun Panariti për kontributin që ka dhënë shteti dhe qeveria shqiptare në mbështetje të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe në procesin e njohjeve ndërkombëtare të saj.

Të dy ministrat shtruan nevojën e koordinimit të mëtejshëm të aktiviteteve ndërinstitucionale në përgjithësi dhe ndërmjet ministrive të punëve të jashtme në veçanti, në funksion të bashkëpunimit dypalësh dhe proceseve integruese rajonale dhe më gjerë. Duke iu referuar bashkëpunimit ekonomik, të dy ministrat ranë dakord për mbledhjen në vjeshtë të Komisionit të Përbashkët Dypalësh, si dhe për hartimin e kuadrit ligjor përkatës.

Në përfundim, Ministri Panariti e siguroi homologun kosovar se qeveria dhe populli shqiptar do t’i qëndrojnë gjithmonë në krah qeverisë dhe popullit kosovar në përpjekjet për prosperitet, konsolidimin e demokracisë dhe integrimin në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

KOMENTE