Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Kapitull i mbyllur në Ballkan”, e cila zhvilloi punimet në Prishtinë, në kuadër të përfundimit të Mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës, pas vendimit zyrtar të marrë nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar.
Në konferencë morën pjesë personalitete nga Kosova, Shqipëria por dhe nga vendet që kanë mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë dhe më tej. Të pranishëm ishin: Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë z. Edmond Panariti, ish Presidenti i Finlandës Marti Ahtisaari, ish-ambasadori Amerikan Frank Wisner, etj. Konferencën e përshëndeti me videolink edhe ish-presidenti amerikan Bill Klinton.
Në fjalën e vet Ministri Panariti u shpreh se, përfundimi i pavarësisë së mbikqyrur është pa mëdyshje dëshmi e progresit të gjithanshëm të Kosovës, në konsolidimin e institucioneve demokratike, ndërtimin e shtetit ligjor dhe të një shoqërie multietnike, si dhe shprehje e gjallë e aftësive dhe kapaciteteve të klasës politike të Kosovës për të marrë në dorë plotësisht fatet e vendit.