Bashkia e Tiranës do i bashkohet nismës së komunës së Mitrovicës “Ndihmo dhe ti”, e cila ka për qëllim mbledhjen e fondeve për meremetimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës, në veri të Mitrovicës dhe kthimin në pronat e tyre, të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike. Në takimin me Kryetarin e komunës së Mitrovicës Avni Kastrati, Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha tha se do i propozojë Këshillit Bashkiak, akordimin e një ndihme financiare për këtë qëllim, sikundër u angazhua për të sensibilizuar edhe njësi të tjera të qeverisjes vendore në Shqipëri, për t’iu bashkuar kësaj nisme.
Kryetari i komunës së Mitrovicës theksoi se fondi i mbledhur deri tani nga qytetarët e Kosovës është rreth 2 milionë euro. “1023 është numri i pronave që kërkon ndërhyrje” – tha zoti Kastrati. Duke nisur nga viti i ardhshëm, të gjithë komunat e Kosovës do të ndajnë 5% të buxhetit të tyre për këtë projekt” - u shpreh Kryetari i Komunës së Mitrovicës.
Zoti Basha e ka vlerësuar këtë nismë si mjaft pozitive, ndërsa ka nënvizuar se çdo përpjekje për të ndarë qytetin, është e papranueshme dhe nuk i shërben stabilitetit në rajon. Kryetari i Bashkisë së Tiranës nënvizoi domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit me komunën e Mitrovicës por edhe komuna të tjera shqiptare në rajon. “Kësaj do t’i kontribuojë – tha zoti Basha, edhe Asambleja e të zgjedhurve vendore shqiptarë, e cila do të mblidhet së shpejti”. Kjo asamble ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe komunikimit mes bashkive dhe komunave shqiptare, i cili do të jetë vlerë e shtuar në procesin e anëtarësimit të rajonit, në strukturat euroatlantike.