English

Kursi i IV i Sigurisë dhe Mbrojtjes, hapet pranë Akademisë së Mbrojtjes “Spiro Moisiu”

Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) dje u zhvillua ceremonia e hapjes së Kursit të IV të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, pranë Akademisë së Mbrojtjes “Spiro Moisiu”. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të lartë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Pas fjalës së hapjes që mbajti komandanti i KDS, gjeneral brigade Bardhyl Hoxha, të pranishmit në këtë ceremoni i përshëndeti ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami.
Duke shprehur kënaqësinë e tij të veçantë për hapjen e Kursit të IV të Sigurisë dhe Mbrojtjes, z. Imami theksoi se, ky kurs ka në gjirin e tij një numër të konsiderueshëm studentësh, të cilët kryejnë detyra të larta në vendet e tyre, si në Ministritë e Mbrojtjes, në FA dhe në institucione të tjera. “Para pak vitesh kjo ishte diçka që nuk mund të imagjinohej, - vijoi ministri Imami, - por për shkak të këmbënguljes së ushtarakëve tanë, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, përditë e më shumë ne po realizojmë gjëra të cilat më parë nuk besoheshin, madje janë të vështira edhe sot për t’u besuar. Ky kurs është ngritur me mundim, inteligjencë dhe këmbëngulje, nga një grup ushtarakësh, të cilët sot mbase nuk shërbejnë më në FA, por unë gjej rastin t’i falënderoj për punën dhe kontributin e tyre, pasi kanë bërë të mundur që kursi të ketë një reputacion të tillë, jo vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe për ministritë e tjera, institucionet e tjera, brenda dhe jashtë vendit”, - ka theksuar ndër të tjera, ministri Imami.
Më pas z. Imami është ndalur edhe në stërvitjen “Biza 2012”, e cila ka përfunduar dje me sukses të plotë, ku u arrit të bëhet kompaktësimi i parë i grup-batalionit, ndërkohë që dy vite më parë nuk kompaktësonim dot një kompani. Po kështu z. Imami ka përmendur rezultatet e arritura vitet e fundit në procesin e demontimit të municioneve të tepërta, duke nënvizuar se janë rezultate vërtetë befasuese, sepse në kaq pak kohë është realizuar një program kaq i madh. Kjo, theksoi ai, i dedikohet punës së Forcave tona të Armatosura, punës së Ministrisë së Mbrojtjes në çdo fushë, në çdo reformë që ka kaluar këto tre vitet e fundit.

Ministri Imami duke folur për vlerat e këtij kursi, ka vlerësuar përzgjedhjen e një audience të seleksionuar pjesëmarrësish, si brenda dhe jashtë vendit, si dhe të lektorëve, të cilët do të jenë një vlerë e shkëlqyer e kursit, por mbi të gjitha vetë kursi do të jetë një mundësi për të rritur besimin reciprok dhe bashkëpunimin rajonal. “Si qeveria, ashtu dhe Ministria e Mbrojtjes e konsiderojnë si rëndësi të veçantë rritjen dhe fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe e shohim si një nga vlerat dhe objektivat tona themelore dhe që, në mënyrë të veçantë këto 20 vitet e fundit, ka luajtur një rol konstruktiv në një Ballkan të shqetësuar, por që po shkon çdo ditë e më shumë drejt stabilizimit dhe prosperitetit për një të ardhme të përbashkët evropiane”, - është shprehur ministri Imami. Në këtë kontekst, ka vijuar më tej ai, është detyrë e MM dhe FA, të cilat janë aktorë kryesorë në fushën e sigurisë, që të forcojmë gjithnjë e më shumë marrëdhëniet me vendet fqinje, në radhë të parë me ato që janë aspirantë për të hyrë në NATO. “Të frymëzuar nga kjo filozofi Shqipëria synon t’i rrisë kontributet e saj dhe të jetë një aktore aktive në bordin e paqes dhe në bashkëpunimin me aleatët. Saktësisht kjo është ajo çka e frymëzon këtë kurs. Unë jam besimplotë se studentët dhe profesorët e kursit do ta ushqejnë dhe transmetojnë frymën e bashkëpunimit, ashtu sikurse jam i sigurt se më vonë do të ruani aftësitë dhe marrëdhëniet midis jush”, - ka përfunduar fjalën e tij ministri i Mbrojtjes Imami.

Kursi i Parë i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen në këtë akademi është hapur në vitin 2007, me një pjesëmarrja rajonale duke përfshirë studentë nga vendet e rajonit. Në kursin e IV të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes marrin pjesë 16 ushtarakë e civilë, të cilët vijnë nga FA të Kroacisë, Gjeorgjsë, Greqisë, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, FA të Shqipërisë, si dhe personel civil që punon në Ministrinë e Brendshme (Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës), në Ministrinë e Drejtësisë, në ATSH etj. Qëllimi i këtij kursi është përgatitja e drejtuesve ushtarakë dhe civilë të pajisur me mirëkuptimin dhe vendosmërinë e nevojshme për t’u ballafaquar dhe për t’u dhënë zgjidhje ndryshimeve dinamike që do të kërkohen në strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, për të dhënë kontributin e tyre në përballimin e sfidave të ardhshme të sigurisë.

Kursi do të do të zgjasë 13 javë dhe është mbështetur në vijimësi nga institucione prestigjioze dhe me vlera ndërkombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Rol parësor ka pasur Qendra Marshall në Gjermani, Qendra e Studimeve të Larta për Mbrojtjen në Itali, por edhe institucionet ndërkombëtare të vendosura në Tiranë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e rajonit. Gjatë zhvillimit të kursit janë ftuar për të dhënë leksione edhe diplomatë të mjaft vendeve si Francë, USA, Britania e Madhe, Holandë, Austri, Turqi, Kroaci, Mali i Zi, Gjermani etj, lektorë nga Qendra Marshall, Qendra e Studimeve Strategjike (CASD) etj.

KOMENTE