Ministri i Brendshëm z. Flamur Noka, u takua me z. Ian Milne, Drejtor për Europën i “Serious Organised Crime Agency” (SOCA), i cili shoqërohej nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, në Tiranë, z. Nikolas Kanon (Nicholas Cannon). Ministri Noka i shprehu z. Milne konsideratat më të larta për bashkëpunimin shumëplanësh.
“Ekspertiza dhe kontributi që Mbretëria e Bashkuar ka ofruar nëpërmjet misionit PAMECA 3, për fuqizimin dhe modernizimin e Policisë Shkencore dhe trajnimin profesional të ekspertëve respektivë, ka qenë shumë dobiprurëse për strukturat tona”, theksoi Ministri i Brendshëm Noka, duke shtuar se “Shqipëria ka shënuar arritje shumë pozitive në luftën kundër krimit të organizuar, sekuestrimit të aseteve të krimit, trafikut të qenieve njerëzore, apo në nxjerrjen e vendit tonë përfundimisht nga harta e vendeve tranzit të drogave të forta”.
Nga ana e tij z. Ian Milne, shprehu vlerësimet më të mirë për bashkëpunimin e deritanishëm me Ministrinë Brendshme dhe Policinë e Shtetit në veçanti.
Në mbyllje të takimit, si ministri Noka ashtu edhe dy zyrtarët e lartë britanikë, shprehën bindjen e plotë se marrëdheniet bilaterale do të vijojnë me më shumë intensitet, duke parë mundësinë që të shtrihet edhe në drejtime të reja, me interes të përbashkët.