English

Panariti pret delegacionin nga Finlanda. Të rritet bashkëpunimi midis 2 vendeve

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, priti sot në takim, një delegacion nga Finlanda të përbërë nga senatorë, biznesmenë, anëtarë të Shoqatës “Miqtë e Shqipërisë në Finlandë”, etj. Delegacioni që po zhvillon një vizitë tre ditore në vendin tonë shoqërohej nga Konsullja e Nderit e Shqipërisë në Finlandë, znj. Liljana Verdha.

Ministri Panariti vlerësoi shumë pozitivisht marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shprehu nevojën për intensifikimin e dialogut politik përmes shkëmbimit të vizitave dypalëshe, si dhe forcimin e marrëdhënieve sidomos në fushën ekonomike.

Në përgjigje të interesimit të miqve finlandezë, Ministri Panariti bëri një paraqitje të reformave të zbatuara nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit evropian; të situatës në rajon dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë të Shqipërisë me të gjitha vendet e rajonit; potencialet që ka Shqipëria për investime në fushat e turizmit, teknologjisë së informacionit, energjitikës dhe industrisë minerare; si dhe të kontributit të Shqipërisë për paqen dhe sigurinë globale në kuadër të NATO-s.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se ka shumë mundësi të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke u fokusuar në shkëmbime eksperience në fusha të ndryshme, nxitjen e investimeve finlandeze në Shqipëri dhe shkëmbimeve tregtare në përgjithësi.

KOMENTE