Lidhur me vrasjen e shefit të komisariatit të Shijakut Adem Tahiraj, policia e Durrësit ka dhënë detajet në një njoftim si më poshtë:
“Sot, rreth orës 18:00, në vendin e quajtur Katund Sukth, gjatë një operacioni kontrolli për armëmbajtje pa leje, është goditur me armë zjarri automatik, Shefi i Komisariatit të Policisë Shijak, Kryekomisar Adem Tahiraj, i cili për pasojë ka humbur jetën.
Pas aktit kriminal autorët, tashmë të identifikuar, u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë në vendngjarje shkuan forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, si dhe forca të Repartit Special RENEA.
Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe drejtues të strukturave të Policisë së Qarkut Durrës kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë të ndjekin nga afër operacionin për kapjen e autorëve. Paralelisht, grupi i ekspertëve të hetimit ka filluar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj.
Në vijim do ju bëjmë me dije të dhëna të plota mbi ecurinë e hetimeve mbi këtë akt kriminal.
Të dhëna personale mbi Kryekomisar Adem Tahiraj.
Kryekomisar Adem Haxhi Tahiraj, i datëlindjes 1 shtator 1963, lindur në Kërrnajë, Tropojë, e banues në Tiranë, i martuar, me arsim të lartë.
Ka një karrierë të gjatë në strukturat e Policisë së Shtetit, në radhët e të cilës ka punuar prej mbi 20 vite.
Si rezultat i përkushtimit profesional ka përmbushur me sukses detyra të vështira në strukturat e Policisë së Shtetit dhe për këtë në vitin 2008 ka fituar dhe Gradën Kryekomisar”përfundon njoftimi.
Vrasja
Ndërkohë nga hetimet paraprake policia zbardh edhe skemën e ngjarjes, ku mësohet se Shefi i komisariatit ka qenë i shoqëruar me punonjës të tjerë të policisë në një pikë kontrolli dhe gjatë kontrollit të një makine dyshohet se ka pasur një debat mes drejtuesit të autmojetit dhe policisë.
Pikërisht dyshohet se ky debat ka sjellë edhe që një tjetër automjet, i cili ishte pas këtij të ndaluarit dhe nga dera e pasagjerit ka dalë një person i cili ka qëlluar në drejtim të policisë, ku ka gjetur vdekjen shefi i Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj.