English

Presidentja Jahjaga merr pjesë në përurimin e shtatores së dëshmorit Rexhep Bislimi

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në tubimin e organizuar me rastin e zbulimit të shtatores së dëshmorit Rexhep Bislimi, që u mbajt në sheshin kryesor të Ferizajt.
Me këtë rast, Presidentja Jahjaga iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë:

Të nderuar qytetarë të Ferizajt

Të nderuar pjesëmarrës në këtë tubim madhështor

E nderuara nëna Havë,

Të nderuar familjarë të dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës,

I nderuar kryeministër Thaçi,

I nderuar kryetar i komunës Aliu,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,

Dhënia e emrave rrugëve dhe shesheve dhe ngritja e shtatoreve dhe e monumenteve për ata që punuan për lirinë e Kosovës është një nderë dhe njëherësh një përkushtim që në mbamendjen tonë historike dhe në angazhimin tonë t’i kemi këtu së bashku me neve.

Vetëm kështu e kuptojmë se rruga drejt lirisë, drejt pavarësisë, drejt demokracisë ishte një rrugë përplot sakrifica.

Në punën e angazhimin tonë përpara do të kemi sukses, vetëm duke i pasur udhërrëfyes bijtë dhe bijat më të mira të popullit që nuk pushuan asnjëherë dhe nuk kursyen asgjë për të fituar lirinë e Kosovës dhe për ta çuar përpara çështjen kombëtare.

Me propozim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dëshmorin e kombit Rexhep Bislimi e kam dekoruar me urdhrin më të lartë “Hero i Kosovës”.

Ta gëzoni Sheshin me shtatoren e heroit Rexhep Bislimi dhe ta mbani me nder e me krenari.

Ju faleminderit

KOMENTE