English

Astrit Haraqija: Pacolli është mashtues dhe shpifës, do t'i kërkoj dëmshpërblim

Fjala është për një nga hotelet më të vjetra në Prishtinë, që akoma është nën pronësinë e shtetit, por privatizimi i të cilit është bllokuar që prej një kohe të gjatë.
Një nga pretendentet për ta blerë është edhe ish presidenti Behxhet Pacolli.

Në këtë proces është i përfshirë kreu i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i ndjeri Dino Asanaj. Në kohën sa ishte gjallë, Asanaj akuzohej se dërgonte sekser në derën e Behxhet Pacollit për të kërkuar miliona në këmbim të hotelit Grand.

Pas deklaratave të zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Behxhet Pacolli se Astrit Haraqija i ka kërkuar atij 3.6 milionë euro për privatizimin e Hotelit Grand, ka reaguar ky i fundit.

Në një prononcim , Astrit Haraqija, deklaratat e Pacollit i ka quajtur shpifje dhe të pavërteta. Ai ka thënë se asnjëherë nuk ka kërkuar para nga Pacolli.

“Me vjen keq për moshën që ka ai të japë këto lloj deklarata. Këto janë shpifje, shpifje, shpifje. Sërish me vjen keq për moshën që e ka e të jetë kaq mashtrues. E para unë nuk kam punuar asnjëherë AKP për të bërë gjëra të tilla. E dyta, unë nuk jam kryetar i Malit për të më blerë me pesë kompjutera dhe pesë karrige. Edhe e treta, unë nuk e kam çmimin prej 3 milionë e 600 mijë euro që e ka deklaruar Pacolli, por kam çmim shumë më të madh”, ka thënë Haraqija.

Ai ka thënë se për këto shpifje do të ngrejë padi ndaj Pacollit, duke kërkuar 8 milionë euro dëmshpërblim.

“Prandaj unë jam duke u konsultuar me avokatet e mi në Gjakovë dhe në Berlin që i kam, për të shikuar se çfarë pasaporta ka Pacolli, pasi ai i ka disa nënshtetësi dhe do t’ia bëj një padi për shpifje. Unë do t’i kërkoj Pacollit tetë milionë euro dëmshpërblim për shpifje, por ato tetë milionë që do t’ia kërkoj do t’i jap për shoqatat humanitare të romëve e nuk do t’i marr për vete, pasi ta fitoj gjykimin”, ka thënë Haraqija për media, duke shtuar se asnjëherë nuk ka qenë ndërmjetësues në çështjen e Grandit.

“Unë nuk kam qenë ndërmjetësues, deklarata e tij nuk është e vërtetë. Plaku mashtrues. Unë jam shumë i lumtur që e kam emrin Astrit Haraqija”, ka thënë ai.

KOMENTE