Menjëherë pas vrasjes së djeshme të shefit të komisariatit të Shijakut Adem Tahiraj, policia ka zbardhur të plotë skemën e ngjarjes, ndërkohë që ka arrestuar dhe të dyshuarin kryesor Ilir Xhakja që është dorëzuar në fshatin Shenavlash ku ishte strehuar.
Policia e ka identifikuar në rrugë operative vendin ku Xhakja kishte gjetur strehim dhe i është bërë një rrethim pa asnjë rrugëdalje për të. Në këtë situatë është negociuar dhe më pas është bërë edhe dorëzimi i tij, veprim i cili ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme.
Bashkë me arrestimin e tij të është siguruar edhe arma me të cilin ai dyshohet të ketë qëlluar mbi Komisarin e Policisë së Shijakut, Tahiraj.
Mësohet se shefi i komisariatit ka qenë i shoqëruar me dy punonjës të tjerë të policisë në një pikë kontrolli dhe gjatë kontrollit të makinës së 17-vjeçarit Ledion Krasnaj është evidentuar mangësi në dokumentacion e makinës së tij, tip Opel me xhama të zinj dhe vetëm me një targë dhe për këtë është vendosur që 17-vjeçari të shoqërohej në komisariat.
Në momentin që 17-vjeçari po shoqërohej në polici ka mbërritur në vendngjarje daja e tij Ilir Xhakja me një makinë tip benz me targa BG 145 HB I cili ka nisur të debatojë me shefin e komisariatit të Shijakut Adem Tahiri.
Debati mes kryekomisarit dhe autorit është nxehur dhe ky i fundit ka nxjerë një pistoletë dhe ka qëlluar 5 herë drejt Tahirit duke e lënë të vdekur në vend. Për pasojë është plagosur në këmbë edhe një kalimatare e cila është 67-vjeçarja Eleni Ndoka.
Sipas policisë më pas Ilir Xhakja së bashku me nipin e tij kanë lënë automjetet në shtëpi dhe janë larguar. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie të cilat kanë bërë të mundur rrethimin e zonës ku ndodhej Ilir Xhakja i cili në pamundësi për t`iu larguar policisë është vetëdorëzuar.
Gjithashtu policia ka bërë të ditur se gjatë natës ka bërë të mundur edhe arrestimin në Shënavlash të 38-vjeçarit Ilir Krasnaj i cili ishte i dënuar më parë për vrasje ndërsa Ledion Krasnaj, nipi i autorit të vrasjes së kryekomisarit Tahiri është ende në kërkim.
Sipas policisë janë sekuestruar arma e krimit, pistoletë tip Gllok dhe një krëhër me 12 fishekë, 5 gëzhoja të pistoletës me të cilën u krye vrasja e Tahirit dhe 6 automjete ku dy prej tyre ishin të blinduara.
Gjithashtu policia e Durrësit bën me dije se janë sekuestruar një furgon, një fuoristradë amerikane,2 karikatorë,970 fishekë, dylbi snajperi si dhe 60 fishekë.
Kush është Ilir Xhakja
Ilir Xhakja është 38 vjeç, i lindur dhe i rritur në Katund- Sukth. Aty përveçse ka jetuar mësohet se ka kryer edhe disa prej akteve më të njohura kriminale, ndërsa ia ka hedhur paq me drejtësinë që kur ka nisur aktivitetet e tij, I mbështetur edhe nga njerëzit e fisit dhe të klaneve të tjera kriminale në Shijak. Referuar të dhënave të shumta që vijnë në emër të 38-vjeçarit mësohet se ndër të tjera, mbi të rëndojnë akuzat e dy vrasjeve, paçka se asnjëra nuk iu vërtetua ndonjëherë, edhe pse gjykata lëshoi masa dënimi deri në 25 vite burg, njëherë për vrasjen e Qerim Malokut në vitin 1998 dhe më pas për vrasjen e Rubin Shahinit. Gjykata Kushtetuese e ktheu për rigjykim dhe më pas doli i pafajshëm. Sido që, hetimi, gjykimi, mbrojtja, dënimet e njëpasnjëshme u dhanë në mungesë derisa në vitin 2007 RENEA ndërhyn dhe e vë në pranga. Policia e shtetit aso kohe e përcolli me bujë të madhe arrestimin e atij që konsdierohej si “tmerri” i Shijakut. U tha se me vendim gjykate rezulton të jetë i dënuar me 25 vite burg, por më pas ai u dënua për armëmbajtje pa leje dhe se pas përfundimit të dënimit ai ka fituar lirinë. Emri i tij është lakuar krejt pak pas zgjedhjeve të vitit 2005, kur emri i Xhakjas thuajse u përmend si kapoja i krimit të organizuar që do të kryente mbështetje të fuqishme për fushatën e PD-së. Ndaj tij u hartua një skedë kriminale me një sërë krimesh për vrasje, trafik prostitucioni si dhe të trafikut të heroinës dhe të kokainës. Policia asnjëherë nuk e shpalli në kërkim emrin e të rrezikshmit të Shijakut, ndërsa në kohën e arrestimit të tij u mësua për herë të parë se Xhakja qëndronte në Durrës. Sipas të dhënave që disponon policia e Durrësit dhe ajo e Shtetit, bëhet me dije se Xhakja ka marrë pjesë në vrasjen e Malokut në Korrikun e vitit 1998, ndërsa prokuroria dhe Gjykata për krime të Rënda nuk mundën ta faktonin për shkak të dëshmive që saktësuan se autori i dyshuar i prokurorisë në atë kohë gjendej në Gjermani sepse ai ishte i martuar menjë shtetase gjermane. Në favorin e tij dëshmuan edhe dy punonjës të policisë së zonës, pra mundi të dilte i pa prekur nga ajo ngjarje. Atëherë u tha se në të vërtetë, Xhakjat vepronin si një klan dhe kishin në përbërjen e tyre edhe persona të tjerë mjaft të rrezikshëm, ndërsa u akuzua dhe u dënua për vrasjen e Rudin Shahinit.