English

Kushtetuta është për të zgjidhur kriza dhe jo për t’i shkaktuar ato

Në drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi sot një seancë dëgjimore mbi draftin për disa ndryshime kushtetuese, paraqitur nga deputetë të Partisë Socialiste. Me 16 vota kundër dhe me 11 pro, drafti u rrëzua dhe sipas Rregullores së Kuvendit, të dy relacionet do t’i kalojnë për votim seancës plenare.

Në mbledhjen që zgjati mbi dhjetë orë morën pjesë përfaqësuesit e organeve kushtetuese, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, OSBE-së, misioni i BE-së, EURALIUS-it, profesorë, konstitucionalistë dhe juristë.

Përfaqësuesit e OSBE dhe EURALIUS theksuan se, ndryshimet kushtetuese kërkojnë kohë dhe një analizë të thellë e të kujdesshme. Eksperti i EURALIUS-it z. Joaquin Urias tha se, diskutimi për reformën kushtetuese të modelit të drejtësisë, duhet të ndahet nga çështje të tjera që janë lënë pezull.

“Në veçanti do të doja të theksoja reformën e sistemit të imunitetit për nëpunësit shtetërorë, e cila është një çështje e diskutuar për një kohë të gjatë me pjesëmarrjen e aktorëve të ndryshëm, përfshirë edhe EURALIUS-in. Sipas nesh, çështja e imunitetit është një gjë, që duhet të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur”- u shpreh z. Urias.

Në analizën e tyre, profesorët, konstitucionalistët dhe juristët vunë theksin tek një pikë e përbashkët: “duhet kohë për të shqyrtuar amendimet kushtetuese, për nga vetë rëndësia themelore e këtij procesi. Ndryshimet kushtetuese mund të sjellin bllokim të funksionimit të institucioneve të pavarura të drejtësisë”.

Konstitucionalistët theksuan se, Kushtetuta është për të zgjidhur kriza dhe jo për t’i shkaktuar ato.

Pas dëgjesave të ekspertëve dhe vlerësimit të tyre, si një instrument kyç për transparencën parlamentare, deputetët e të dy palëve dhanë qëndrimet e tyre. Deputetët demokratë u shprehën ndër të tjera se, amendimet do të sillnin bllokim të institucioneve të pavarura, procedurave parlamentare dhe cënim të sistemit check and balance.

Socialistët theksuan se, amendimet synojnë pavarësinë e gjyqësorit nga politika dhe rritjen e integritetit të gjyqtarëve.

KOMENTE