English

Nishani takim në Ohër me Gjorge Ivanov

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot në Ohër një takim me Presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Ky është takimi i parë ndërmjet dy presidentëve Nishani-Ivanov në vijim të traditës për mbajtjen e dialogut politik midis dy vendeve në nivelin më të lartë.

Të dy Presidentët vlerësuan se marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve kanë arritur një nivel të kënaqshëm, duke theksuar se është e nevojshme që të punohet më shumë për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, në fushën e turizmit, energjitikës, infrastrukturës, transportit hekurudhor, rrugor e liqenor, arsimit, kulturës dhe veçanërisht në zbatimin e projekteve me rëndësi prioritare.

Presidenti Nishani dhe Presidenti Ivanov ranë dakort që të punojnë për zbatimin e projekteve rajonale të “Korridorit 8” dhe lidhjen e autostradës “Adriatiko-Joniane” me “Korridoret 8 dhe 10”.

Kreu i Shtetit nënvizoi se Shqipëria i ka parë dhe i sheh me prioritet marrëdhëniet me Maqedoninë fqinje dhe vlerëson se ato janë solide, dinamike në planin dypalësh dhe shumëpalësh. Presidenti i Republikës vuri në dukje se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë procesin integrues të Maqedonisë në NATO dhe BE dhe inkurajoi zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit nga të gjithë faktorët politikë dhe institucionalë në vend.

“Marrëveshja e Ohrit përbën një themel të sigurtë ligjor për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë”, – shprehu bindjen Presidenti Nishani dhe theksoi se Shqipëria dëshiron të shohë më shumë progres në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Presidenti Nishani u shpreh gjithashtu se dialogu politik, përgjegjshmëria institucionale dhe veprimi i shtetit ligjor për të gjithë njëlloj, duhet të ndihmojnë në shmangien e incidenteve dhe ruajtjen e harmonisë etnike dhe fetare në vend.

Presidentët shkëmbyen mendime për integrimin euro-atlantik të dy vendeve tona dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e vlerësuar si esencial për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal.

Presidenti Nishani kërkoi mbështetjen e Maqedonisë për përfshirjen e Kosovës në nismat dhe forumet rajonale.

Presidentët Nishani dhe Ivanov vlerësuan se takime të tilla janë të frytshme dhe se duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Presidenti i Republikës e ftoi Presidentin e Republikës së Maqedonisë për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u prit me kënaqësi.

KOMENTE