English

Partia Socialiste: kush fiton më pak do paguajë më pak, kush fiton më shumë do paguajë më shumë

Çmimet dhe taksat janë rritur shumë, fuqia blerëse ka rënë, ndërsa tatimorët janë kthyer në “skuadra terrori”, që e bëjnë edhe më të vështirë punën e tregtarëve. Këta të fundit thonë se janë në kushtet e mbijetesës dhe se nuk bëhet më fjalë për norma fitimi. Kjo është situata në tregun ushqimor të shumicës, pranë Qytetit të nxënësve në Njësinë Nr.6 në kryeqytet, ku kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka zhvilluar sot paradite takime me tregtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre aty.

Kryesocialisti ka parë nga afër një treg bosh dhe tregtarët e vegjël që rrinin në pritje.
“Ka një rritje drastike të çmimeve. Vetëm me çmimet na merren fitimet. Edhe taksat kanë ardhur shumë për këtë vit. Fuqia blerëse ka rënë. Nuk është ajo fuqi blerëse që ka qenë dikur. Vaji ka vajtur 2300 lekë kg”, është shprehur një nga tregtarët.

Sipas tij përveç rënies së fuqisë blerëse dhe rritjet së çmimeve problem mbetet rritja e arbitraritetit të policisë tatimore, por edhe të policive të tjera që i mësyjnë tregut të tyre.
"Policia e tatimeve njëherë në dy ditë është këtu në treg. Kanë frikë tregtarët të vijnë të blejnë. Ne po shkojmë në zero, një ditë do dorëzojmë çelësat e kaq ishte puna jonë. S’kemi bërë sefte akoma, shikoje kasën asgjë”, është ankuar një tjetër prej tregtarëve.
Dhe radha e ankesave vazhdon të jetë e gjatë, pasi të tilla janë edhe problematikat që e bëjnë pothuajse të pamundur mbijetesën e atyre që jetojnë me punën në këtë treg.
“Më kanë bërë biznes i madh, se thonë që e kam tejkaluar normën, - i thotë një tjetër tregtar kryesocialistit.- Ti shihe vetë. I paguaj taksat si biznes i madh, ndërsa unë kam 10 milionë të vjetra mall. Këtu gjithë ditën s’vjen njeri fare. Çfarë të bëjmë, me çfarë të jetojmë. Kam dy fëmijë, të dy me shkollë të lartë, pa punë”.

Ndërsa një grua që shet në këtë treg duket edhe më e rënduar shpirtërisht: “S’na del as të lajmë taksat e bashkisë. Më vunë 1 milionë lekë gjobë për kasë. Ku t’i gjej unë 400 mijë lekë që të blejmë kasën. Më çfarë t’i përballoj me burrin që kam pa punë”.

Fenomeni i listave është prezent edhe në këtë treg ushqimor, megjithëse pjesa më e madhe këtu shesin me shumicë.
“Edhe ne që jemi tregtarë shumice me lista po punojmë. Puna është e dobët, edhe klientët i mbajmë më shumë duke dhënë pa likuiduar dhe i marrim lekët më mbrapa. Me lista punojmë dhe ne. Me shpresë të Zotit presim për më mirë”, shpjegon një tjetër tregtar.

Kryesocialisti Rama u ka thënë tregtarëve se qeveria e Partisë Socialiste do të rivitalizojë biznesin e vogël duke i hequr së pari taksën e biznesit të vogël, por edhe taksat e fshehura të korrupsionit dhe atë të zvarritjes nëpër zyrat e administratës. Ai është shprehur:
“Pa asnjë diskutim duhen marra disa masa të menjëhershme për ta energjizuar sidomos biznesin e vogël që është në gjendje ‘ku thërret qameti’. Do e heqim taksën e biznesit të vogël, do bëjmë një sërë ndryshimesh që ne besojmë, do heqim edhe taksën e korrupsionit, edhe taksën e kohës e të zvarritjeve. Do vendosim një sistem drejtësie në barrën e taksave, kush fiton më pak do paguajë më pak, kush fiton më shumë do paguajë më shumë. Dhe të gjithë pastaj së bashku me taksën që paguajnë do shërbehen nga shteti me dinjitet, duke qenë qytetarë të respektuar maksimalisht si sipërmarrës, jo të dhunuar dhe të persekutuar siç thoni ju me policët nga të katërt anët, që ku të gjejnë të shqyejnë ndonjë gjë”.

Kryetari Rama ka qenë i shoqëruar nga deputeti socialist i zgjedhur në këtë zonë Saimir Tahiri, si dhe nga Sekretari për Programin Ilir Beqja.

KOMENTE