English

Ministri Enver Hoxhaj kërkon njohje nga Timori Lindor

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka filluar sot një vizitë zyrtare dy ditore në Timorin Lindor, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të këtij shteti, Jose Luis Guterres.
Në ditën e parë të vizitës, Ministri Hoxhaj është pritur në një takim bilateral nga Ministri i Punëve të Jashtme i Timorit Lindor, Jose Luis Guterres.

Në këtë takim, Ministri Hoxhaj edhe zyrtarisht ia ka dorëzuar kërkesën e Republikës së Kosovës për njohje të plotë nga Timori Lindor.

“Kosova dhe Timori Lindor në aspektin gjeografik janë larg njëra-tjetrës, por ne ndajmë kujtesën e represionit dhe shkeljeve masive të drejtave të njeriut nga regjimet e huaja si dhe lavdinë e popujve tanë për liri. Prandaj, njohja e Timorit do të ishte edhe një mirënjohje dhe respekt për dinjitetin e viktimave”, ka thënë Ministri Hoxhaj, gjatë takimit.

Më pas, në emër të qytetarëve dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministri Hoxhaj ka falënderuar Ministrin Guterres për ftesën dhe mirëpritjen e ngrohtë.

“Shpresoj që kjo vizitë është një kapitull i ri i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Është një fat i madh për popujt tanë që fillimi i shekullit 21 i gjeti të dy vendet tona si vende të pavarura, sovrane dhe demokratike, që prosperojnë si anëtarë të vendeve të lira të botës”, ka theksuar Ministri Hoxhaj.

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Timorit Lindor, Jose Luis Guterres ka thënë se është i nderuar me vizitën e Ministrit Hoxhaj, e cila po ndodh në 10 vjetorin e pavarësisë së Timorit Lindor.

“Ne, popullin tuaj gjithmonë e kemi pas në zemër. Prandaj edhe njohja e Republikës së Kosovës, përtej një akti formal është një obligim që vjen nga zemra jonë”, ka theksuar Ministri Jose Luis Guterres, në takim.

Dy ministrat kanë biseduar edhe për mundësinë e bashkëpunimit në shumë fusha, në mënyrë që marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve të thellohen edhe më shumë.

KOMENTE