Sekretari për Programin në PS Ilir Beqja, nëpërmjet një komunikimi me median u shpreh se mazhoranca qeverisëse ka shkelur ligjin duke mos bërë publike programin e statistikave zyrtare.
Dhe kjo, ka shtuar Beqja, cënon seriozisht autoritetin statistikor dhe qartësimin mbi parametrat ekonomike në vend. Beqja theksoi se Instituti i Statistikave është vënë i gjithi në funksion të qeverisë.
Sipas tij si pasojë e politizimit të tejskajshëm të INSTAT-it është prekur niveli më i ulët i besueshmërisë për të dhënat. Sekretari për Programin u shpreh në mbyllje të deklaratës se PS ka si pjesë të programit të saj edhe ringritjen e shërbimit statistikor.”Ne e kemi gati planin e modernizimit të shërbimit statistikor me synim kryesor informimin e saktë dhe në kohë të publikut”, përfundoi Beqja.
Në deklaratën e tij për media ai ka theksuar:
"Sot, janë mbushur plot 260 ditë që Shqipëria është pa program të miratuar të statistikave zyrtare. Neni 6 i ligjit 9180, datë 5 shkurt 2004, sanksionon se Kuvendi miraton programin e statistikave zyrtare, i cili mbulon periudhën e pesë viteve kalendarike. Sot, unë përsëris denoncimin se mazhoranca është në shkelje të ligjit. Sigurisht, që nuk është rast i parë dhe i vetëm që Saliu dhe mazhoranca e tij shkelin ligjin."