English

Presidenti Nishani takon kryetaren e parlamentit austriak Barbara Pramer

Po dje Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Kryetaren e Parlamentit të Austrisë, Barbara Pramer dhe delegacionin parlamentar që e shoqëron në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë. Në takim ishin të pranishëm edhe Ambasadorët e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të dy vendeve respektive, Vili Minarolli dhe Florian Raunig.

Pasi i uroi mirëseardhjen, Kreu i Shtetit vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve të gjithanshme historike mes dy vendeve tona mike dhe partnere, duke përfshirë dhe atë të dialogut dhe bashkëpunimit politik. Presidenti Nishani inkurajoi zgjerimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat, sidomos në fushën ekonomike dhe në drejtim të rritjes së investimeve austriake në energjetikë, turizëm, bujqësi, nëpërmjet projekteve konkrete.

Presidenti Nishani e njohu zonjën Pramer me përpjekjet e institucioneve shqiptare për realizimin e reformave, të cilat i shërbejnë përmbushjes së standardeve për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe në mënyrë të veçantë qytetarëve shqiptarë.

Kryetarja e Parlamentit të Austrisë, Barbara Pramer, pasi falenderoi për pritjen e rezervuar nga Kreu i Shtetit shqiptar e vlerësoi këtë takim si mjaft të rëndësishëm, sidomos në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Zonja Pramer e siguroi Presidentin Nishani për mbështetjen e palëkundur të Austrisë në drejtim të kryerjes së reformave të nevojshme me qëllim përmbushjen e aspiratave integruese të Shqipërisë.

Kryeparlamentarja austriake vuri në dukje gjithashtu se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe përparimet e bëra nga vendi ynë si dhe shprehu dëshirën e mirë për një finalizim të suksesshëm të aspiratës integruese të shtetit dhe të popullit shqiptar.

Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi lart mbështetjen e Austrisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe falenderoi zonjën Pramer për kontributin e institucioneve austriake në konsolidimin e institucioneve demokratike shqiptare.

KOMENTE