Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në një takim Kryetaren e Parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer si dhe delegacionin që e shoqëronte. Znj Prammer ndodhet në Shqipëri me ftesë të Kryetares Jozefina Topalli, kjo është vizita e parë e një Kryetari Parlamenti të Austrisë në vendin tonë.
Znj Prammer falenderoi Kryetaren e Kuvendit për ftesën dhe shprehu kënaqësinë për këtë vizitë, që vjen në një moment të veçantë ku Shqipëria feston 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Ajo tha se Shqipëria është një realitet ndryshe dhe një vend që impresionon me zhvillimin e gjithanshëm të saj.
Duke uruar Kryetaren e Kuvendit për 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, Znj. Prammer bëri të ditur se në mesin e muajit nëntor Parlamenti Autstriak do të votojë aktin për dërgimin e Shpatës dhe Përkrenares origjinale të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Me këtë rast Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i dhuroi homologes së saj botimin special të Akteve Themeluese të Shtetit Shqiptar (1912-1922) të botuara enkas për 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.
Gjatë bisedës, dy homologet vlerësuan bashkëpunimin dhe marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy parlamenteve, si dhe ato politike, ekonomike, e veçanërisht në fushën e arsimit dhe kulturës. Znj Jozefina Topalli dhe Znj Prammer theksuan rëndësinë e forcimit të këtyre marrëdhënieve edhe më tej, duke nxitur vizita të grupeve parlamentare të miqësisë, të komisioneve parlamentare, të nivelit të lartë politik etj.
Kryetarja e Kuvendit njohu homologen e saj me reformat e rëdësishme që Parlamenti ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe në funksion të objektivit kombëtar të shqiptarëve, integrimin në Bashkimin Europian. Duke theksuar se Shqipëria pret në javët në vijim opinionin e Komisionit Europian në lidhje me marrjen e statusit kandidat, Kryetarja Jozefina Topalli kërkoi mbështetjen e Austrisë në këtë drejtim, ndërsa theksoi se ky duhet të jetë një proces i bazuar në arritje dhe meritë.
Nga ana e saj, Znj Barbara Prammer shprehu mbështetjen e Austrisë për integrimin europian të Shqipërisë ndërsa tha se pa integrimin e vendeve të rajonit Europa mbetet e pakompletuar.
“Ne do t’iu mbështesim në çdo hap drejt rrugëtimit tuaj në familjen europiane. Europa nuk është e kompletuar pa vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky nuk është një proces i lehtë dhe kërkon kohën e tij por ju keni bërë arritje dhe këto arritje janë të dukshme.” u shpreh Kryetarja e Parlamentit austriak, Prammer.
Kryetarja Jozefina Topalli bëri një përshkrim të shkrutër të zhvillimeve në Shqipëri, e veçanërisht në 20 vitet e fundit, ku vendi ka shënuar hapa të rëndësishëm transformimi për të rikuperuar dekada të humbura e duke lënë pas pasojat e rënda të një prej regjimeve më të egra komuniste në europë.
“Shqipëria sot është një vend i transformuar. Ne kemi fokusuar investimet tona në infrastrukturë, tunele e ura, duke ndryshuar Shqipërinë e disa viteve më parë, ndër prioritet e rëndësishme janë investimet në energji ku vendi ka potenciale të jashtëzakonshme dhe shumë investitorë të huaj po operojnë në këtë fushë, e shumë të tjera po shprehin interesin përmes projektesh konkrete. Një tjetër fushë ku ne jemi të fokusuar është dixhitalizimi, prokurimet, procedurat për bizneset, etj janë të gjitha online. Shqipëria po bën progres çdo ditë.” tha Kryetarja Jozefina Topalli.
Ndër të tjera gjatë takimit u vlerësua roli konstruktiv i Shqipërisë në rajon, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si dhe toleranca dhe harmonia fetare, ku Shqipëria është një vend model në botë.