English

Barroso-Nishani : Progresi i Shqipërisë po ndodh me të vërtetë dhe realisht

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani zhvilloi një takim me Presidentin e Komisionit Evropian José Manuel Barroso, gjatë vizitët së tij zyrtare në Bruksel.

Pasi vlerësoi ecurinë e reformave për konsolidimin e institucioneve demokratike të shtetit ligjor dhe ecurinë ekonomike të Shqipërisë, Presidenti Barroso shprehu bindjen se ka potenciale për zhvillime të mëtejshme pozitive, përkatësisht në reformën parlamentare, reformimin e sistemit gjyqësor dhe ligjin për kufizimin e imuniteteve.

Në këtë kontekst, Presidenti Barroso përcolli mesazhin se në këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë duhet vullnet i të gjithë faktorëve politikë dhe institucionalë, dhe se kyçi i suksesit është konsensusi.

Kreu i KE-së theksoi se reformat janë në interes të qytetarëve shqiptarë dhe se ato duhet të vazhdojnë edhe pas progres-raportit me qëllim përmirësimin e standardeve që ndikojnë në jetën e qytetarëve shqiptarë.

Presidenti Barroso vlerësoi në mënyrë të hapur qasjen racionale të Shqipërisë ndaj çështjeve rajonale dhe e vlerësoi politikën e jashtme të Shqipërisë në rajon si faktor domethënës për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pasi renditi rezultatet e arritura nga institucionet dhe shoqëria shqiptare në procesin e reformave u përqendrua në mënyrë të veçantë te sfidat në reformimin e sistemit të drejtësisë.

Kryetari i Shtetit Shqiptar u shpreh se kthimi i besimit të gjyqtarëve te sistemi i drejtësisë, nëpërmjet promovimit të karrierës së tyre, në bazë të meritës dhe vlerësimit në mënyrë transparente përbën një nga prioritetet e presidencës së tij, me synim rritjen e efektivitetit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Presidenti Nishani ndau të njëjtin mendim me Presidentin Barroso se marrja e statusit të vendit kandidat është plotësisht në dorë të institucioneve shqiptare dhe duhet të bazohet në meritë.

Presidenti i Republikës pasi bëri një pasqyrë të zhvillimeve më të fundit në rajon u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në paqen dhe stabilitetin e rajonit duke mbështetur dialogun si të vetmin mjet komunikimi ndërmjet vendeve të Ballkanit.

Pas takimit, të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

KOMENTE