English

Lista e 12 prioriteteve nuk është për qeverinë, është për Shqipërinë, shprehet Topalli

Në hapje të seancës së sotme plenare, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pasi njoftoi për miratimin me konsensus të Kalendarit Trejavor të Punimeve të Kuvendit, ftoi deputetët dhe posaçërisht Komisionin e Ligjeve që të punojnë intensivisht dhe të miratojnë projektligjet e planit të veprimit për integrim brenda tetorit.

“Në këtë kalendar janë futur ligje që janë brenda planit të veprimit për integrimin, që përfshijnë ligjin për avokaturën dhe ligjin për administratën publike. Unë ftoj deputetët që deri të enjten e ardhshme, sidomos Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të punojnë me një intensitet shumë të madh, në mënyrë që këto ligje, që janë pjesë e planit të veprimit të votohen javën e ardhshme, brenda tetorit. Nuk është garë shpejtësie, por është një detyrim që na vjen nga Brukseli dhe ne kemi të gjithë vullnetin për t’i kaluar. Janë ligje të mbartura prej kalendarit të kaluar, kështu që brenda tetorit këto ligje që kërkohen nga Brukseli do të votohen.
Unë ftoj edhe njëherë të dyja palët që ligji për gjykatën e lartë që është në kalendar, ka qenë në rend dite dhe është në rend dite të miratohet sa më parë që të jetë e mundur, sepse është një kusht shumë i rëndësishëm për marrjen e statusit."

Në përgjigje të deklaratës së Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, se opozita nuk do të japë mbështetjen për reformën në drejtësi nëse mazhoranca pengon zbatimin e vendimeve të gjykatave, Kryetarja e Kuvendit tha se projektligjet e përmendura më lart nuk janë për qeverinë dhe mazhorancën, por janë projektligje të cilat i shërbejnë sistemit të drejtësisë dhe detyrime të të gjitha forcave politike ndaj qytetarëve shqiptarë.

“Kjo është e vërteta. Sistemi i drejtësisë duhet forcuar. Reforma në sistemin e drejtësisë është prioritet dhe ne si deputetë kemi detyrimin për të kryer detyrat që sjellin nga Brukseli, përveç atyre që na duhen ne si shqiptarë. Lista e 12 prioriteteve nuk është për qeverinë, është për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe këtu ne nuk mund të ndahemi. Të dyja palët duhet të punojmë bashkë që drejtësia të jetë e pavaruar nga paraja dhe jo nga politika. Nga korruptimi, jo nga politika. Nuk varen nga partitë politike ata. Një për një duhet të zbatohen vendimet e gjykatave. Plotësisht dakord. Është princip i shtetit ligjor. Ky është princip të cili i qëndrojmë me forcën më të madhe dhe me vendosmërinë më të madhe. Por, kjo vlen në çdo rast. Në çdo kohë dhe në çdo rast. Këtu nuk ndahen kohët kur ishte PS-ja dhe kur ishte PD-ja. Drejtësia nuk i ndan kohët midis PS-së dhe PD-së. Drejtësia është për shqiptarët. Ka nevojë për reformë dhe ne duhet të punojmë për reformë. Absolutisht me vendosmërinë më të madhe për të zbatuar çdo vendim të drejtësisë. Ky është imponimi ynë! Kjo është vendosmëria jonë! Ky është angazhimi ynë! Dhe këtu në Parlament ne duhet të bëjmë punën tonë dhe puna jonë, një ndër 12 prioritetet, është të votojmë projektligjin për Gjykatën e Lartë. Unë njerëzisht, jo si partiake, si shqiptare ju ftoj që të ecim përpara me këtë program. Sot është një ditë në të cilën ne do të votojmë heqjen e imunitetit dhe për këtë ka një vendim që më në fund edhe ju keni rënë dakord për ta votuar dhe unë ju përgëzoj të gjithëve. Nuk është për t’i bërë nder qeverisë. Javën e ardhshme do të kalojmë edhe dy projektligje të tjera të planit të veprimit. Nuk janë për qeverinë! Nuk janë detyrime që i sjellim ne, por janë detyrime që i sjellin nga jashtë dhe që i bëjnë mirë vendit se rrisin standardet.”

KOMENTE