English

Panariti-Asadov: vullnetit politik t’i përgjigjemi me nxitjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve

Sot, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Z. Edmond Panariti priti në takim Kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Azerbajxhanit, Z. Oktay Sabir Asadov, i cili ndodhet në vendin tonë në një vizitë zyrtare.

Ministri Panariti pasi shprehu kënaqësinë për nivelin aktual të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Azerbajxhanit vuri në dukje se ekziston vullneti i qartë politik për bashkëpunim dhe se nuk ka asnjë pengesë për të intensifikuar më tej marrëdhëniet dypalëshe. Në këtë kuadër ai theksoi rolin e rëndësishëm që luan dimensioni parlamentar për forcimin e këtij bashkëpunimi, si në planin politiko-diplomatik, ashtu edhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.

Midis dy vendeve po punohet për nënshkrimin e disa marrëveshjeve, të cilat do të krijojnë kuadrin e nevojshëm ligjor për rritjen e bashkëpunimit në fusha të tilla si energjetika, turizmi, kultura, arsimi agrobiznesi etj.

Ministri Panariti theksoi se Qeveria Shqiptare ka mbështetur politikisht projektin TAP, si shumë të rëndësishëm për furnizimin me gaz të vendit, dhe ka angazhuar strukturat përkatëse në funksion të plotësimit të gjithë kërkesave ligjore e teknike në këtë drejtim.

Z. Asadov pasi falenderoi Ministrin Panariti për pritjen theksoi se, vullnetit politik për zhvillimin e marrëdhënieve, duhet t’i përgjigjemi me nxitjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, ku të dy vendet ofrojnë mundësi të mëdha, sidomos në fusha të tilla si energjetika, bujqësia, kultura etj.

Asadov pasi uroi Ministrin Panariti me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, shprehu vlerësimin për avantazhet dhe mundësitë reale për realizimin e Projektit TAP si dhe mbështetjen e vendit të tij në këtë drejtim.

KOMENTE