Filmi që ndezi zemërimin në botën myslymane, ku tregon se është njollosur figura e Profetit Muhamed, ka sjellë në një intervistë për ora news në emisionin "Tonight" të drejtuar nga Ilva Tare edhe ambasadorin amerikan në Tiranë zotin Aleksandër Arvizu.
Intervista e tij e plotë jepet më poshtë:
Ilva Tare: Z. Ambasador, a mendoni se filmi “Pafajësia e Muslimanëve” ishte e vetmja arsye që ndezi dhunën në botën muslimane, apo ishte vetëm preteksti për ekstremistët?
Është e vështirë të spekulosh. Mendoj se ka shumë arsye për këtë. Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të të falenderuar që e prezantoni këtë temë, që më jepni mundësinë mua, si përfaqësues i SHBA, për ta trajtuar këtë çështje, e cila na ka preokupuar. Mund ta imagjinoni se çfarë pasoje pati tek ne këtu në ambasadë. Ishte një kohë shumë e vështirë personalisht e profesionalisht. Unë nuk e njihja Ambasadorin Stivens, sigurisht kisha dëgjuar për punën e tij, por fakti është që ishte një goditje e fortë për të gjithë ne. Na bëri vërtet përshtypje e gjithë ajo shprehje e madhe simpatie e solidariteti prej shqiptarëve; sigurisht nga udhëheqësit politikë, të të gjithë spektrit, por edhe nga qytetarët shqiptarë që na dërguan mesazhe, vendosën shënime në faqen tonë në Facebook, apo na telefonuan për të na shprehur ngushëllime. E gjitha ishte shumë prekëse dhe emocionuese. Me lejen tuaj, dëshiroj të lexoj shumë shkurt dy deklarata nga Presidenti dhe Sekretarja Klinton javën e kaluar. Janë raportuar gjerësisht në shtyp, mendoj edhe nga ju, por për mua janë të shkurtra dhe koncize dhe sikur ngërthejnë gjithçka që duhet thënë për këtë. Po lexoj të Presidentit në fillim, “Prej themelimit tonë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë një vend që respekton të gjitha fetë. Refuzojmë të gjitha përpjekjet për të denigruar besimet fetare të të tjerëve. Ndërkohë, nuk ka absolutisht asnjë justifikim për këtë lloj dhune të pakuptimtë. As edhe një. Bota duhet të qëndrojë e bashkuar për t`i refuzuar këto akte brutale.”
Mesazhi i Sekretares e plotësonte edhe më tej, e zgjeronte pak dhe trajtonte edhe çështjen e videos që ju ngritët, “Shpresoj të jetë e qartë që Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk kishte kurrfarë lidhje me këtë video. E hedhim poshtë absolutisht përmbajtjen dhe mesazhin e saj. Përkushtimi i Amerikës ndaj tolerancës fetare e ka fillesën në ditët e para të kombit tonë. Dhe, siç e dini, ky vend është shtëpia e njerëzve nga të gjitha fetë, përfshi sigurisht, miliona muslimanë. Kemi respektin më të madh për njerëzit e besimit, por nuk ka as edhe një justifikim, asnjë, për t`iu përgjigjur kësaj videoje me dhunë. E dënojmë dhunën me forcën më të madhe dhe vlerësojmë shumë faktin që shumë muslimanë në Shtetet e Bashkuara dhe kudo në botë – (përfshirë edhe në Shqipëri, sigurisht) – janë shprehur për këtë çështje. Ne besojmë që dhuna nuk ka vend në fetë dhe nuk është aspak mënyrë për të nderuar fenë. Feja islame, ashtu si fetë e tjera, respekton dinjitetin themelor të qenieve njerëzore dhe të kryesh sulme ndaj të pafajshmëve përbën një dhunim pikërisht të atij dinjiteti themelor.”
Ilva Tare: Sipas jush, a mund ta kishte parandaluar qeveria e SHBA këtë valë të re protestash në botën muslimane? A besoni se këto protesta janë më shumë kundër lirisë së fjalës apo më shumë protesta anti-amerikane, cili është komenti juaj?
Protestat kanë shpërthyer në disa vende. Kam lexuar komentet, raportimet. Mendoj se është e vështirë të spekulosh apo analizosh. Kam dyshimin që edhe pse ka disa fije të përbashkëta, në çdo vend ka edhe rrethana e situata unike. Disa prej tyre po përjetojnë transformime si rezultat i Pranverës Arabe. Mendoj që mund të thuhet se ka një kompleksitet çështjesh; nuk ka vetëm një shpjegim apo përshkrim që do t`i përshtatej të gjitha situatave. Është e qartë që ne besojmë fort në lirinë e shprehjes, por për sa kohë që dhuna është pjesë e kësaj shprehjeje atëherë këtë e shohim si të dënueshme dhe do të vazhdojmë ta kundërshtojmë.
Ilva Tare: Si mund të kapërcehet hendeku mes botës muslimane dhe perëndimore? Ose me fjalë të tjera, a mendoni se feja islame dhe demokracia mund të bashkëjetojnë?
Absolutisht, jo vetëm mund të bashkëjetojnë, por të shohin përparim, lulëzim, dhe përforcim të njëra-tjetrës. Duhet të ketë përpjekje më të mëdha për të promovuar mirëkuptimin dhe tolerance. E përsëris, për Shtetet e Bashkuara, është e dhimbshme për mua, është e dhimbshme për shumë amerikanë sepse siç tha edhe Presidenti dhe Sekretarja e Shtetit, SHBA u themeluan mbi bazën ose një prej themeleve tona ishte liria e fesë. Udhëtarët më të hershëm nga perëndimi për në SHBA po iknin prej persekutimit fetar. Dhe prej ngjizjes së SHBA, kjo ka qenë një gur themeltar, një traditë e vendit tonë. Për këtë arsye, për mua, të kundërshtosh se SHBA janë kampione të lirisë, tolerancës, e diversitetit fetar nuk është thjesht e gabuar; në fakt, është një fyerje. Në Shkrimin e Shenjtë ka një pasazh, është në Dhjatën e Re, mendoj tek Mateu. Me siguri është diçka që mund të gjendet edhe në Kuran apo në fetë e tjera të mëdha të botës. Është një pasazh shumë i thjeshtë që thotë, “Lum paqebërësit sepse ata do të quhen fëmijë të Perëndisë.” Mendoj që përgjigja e thjeshtë është që duhet të ketë më shumë paqebërës, më shumë njerëz që gatshëm të ngrenë zërin për tolerancën sepse me këtë ka të bëjë besimi.
Ilva Tare: Myftiu i Shkodrës ka thënë se muslimanet jane ofenduar nga videoja. A ju shkakton shqetësim kjo dhe a është rritur niveli i sigurisë për shkak të këtyre deklaratave?
Në përgjithësi, në lidhje me pyetjet për sigurinë, praktika jonë e standarde është të mos komentojmë; ndërkohë duhet të them që bashkëpunimi ynë me Policinë e Shtetit dhe autoritete të tjera shtetërore është i shkëlqyer. Na janë përgjigjur si gjithmonë, në mënyrë mbresëlënëse lidhur me shqetësimet e rritura. Në mënyrë specifike, në lidhje me shërbesat, jo, nuk ka pasur ndryshim, asnjë ndryshim në masat tona të sigurisë. Në lidhje me Myftiun e Shkodrës dhe komentet e tij, në fakt, unë e njoh personalisht. Në të vërtetë, ishim ulur ngjitur në një darkë Iftari që shtrova pak javë më parë. Nuk kam biseduar me të që kur jam kthyer në Shqipëri dhe që kur kanë dalë videot, kështuqë pres me kënaqësi të bisedoj me të për to. Kur ai thotë që ndihet i ofenduar, mendoj se është një ndjenjë që e kanë miliona njerëz, përfshi shumë amerikanë, edhe mua. Është një video ofenduese. Qëllimi i saj ka qenë të ofendojë dhe fyejë. Kështu që e kuptoj ndjenjën. Përsëris, shpresoj që ai dhe udhëheqësit e tjerë, në veçanti udhëheqësit muslimanë në Shqipëri do ta përdorin këtë mundësi për të edukuar e informuar njerëzit që mund të ndihen të çoroditur, që mund të pyesin, “Ç`do të thotë kjo?” Është e qartë që ai është një person shumë inteligjent dhe e kupton që kjo nuk ishte dora e Qeverisë së SHBA, nuk ishte diçka e ardhur nga amerikanët e denjë. Është e rëndësishme që të vihet në kontekstin e duhur. Dhe, pres me kënaqësi të bisedoj me të mbi këtë çështje.