English

Bashkia e Tiranës: qytetarët të përdorin më shumë biçikletat

Është hapur dje në Tiranë, “Java e Ndërgjegjësimit”, për reduktimin e përdorimit të makinave. Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, së bashku me një grup të rinjsh, kanë preferuar që përmes përshkimit me biçikletë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshit “Nënë Tereza”, të japin mesazhin e domosdoshmërisë së rritjes së përdoruesve të biçikletave. Krahas sensibilizimit, Bashkia e Tiranës deri në fund të këtij viti, do të ketë krijuar 24 km korsi të dedikuar për biçikleta.

“Në vitin e parë të administratës sime, jam angazhuar për shtrimin e 20 km rrugë biçikletash në qytet dhe në fakt, me përfundimin e projektit multimodal i cili do të shtrihet në plot 12 rrugë kryesore të qytetit, në përfundim të këtij viti, qyteti do të ketë 24 km korsi biçikletash, korsi të dedikuara, të shënuara, të paisura me sinjalistikë dhe që garantojnë sigurinë e çiklistëve” - u shpreh Kryebashkiaku Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha theksoi se krahas korsive të dedikuara, Policia Bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të ruajë me fanatizëm sigurinë e çiklistëve. Zoti Basha u bëri thirrje qytetarëve t’i rikthehen edhe njëherë këtij mjeti të transportit, që Tirana e ka njohur mirë për dhjetëra vite.

”Të gjithë e dimë se sa problematik është trafiku në Tiranë dhe ndonëse ne po kryejmë investime të zgjuara, strategjike siç është rehabilitimi i rrethrrotullimit të Doganës apo investime tek Brryli apo investime të mëdha siç është Unaza e Madhe e Tiranës, përsëri zgjidhja më e mirë është mospërdorimi i makinës për çdo rast. Sot, automjetet duhet të përdoren me efiçencë dhe me kursim dhe biçikleta, veçanërisht në këtë qytet që ka një reliev relativisht të sheshtë është një alternativë e shkëlqyer transporti. Bashkisë i mbetet të sigurojë kushte si dhe të nxisë ndërmarrjet si “Ekovolis”, për një shtrirje sa më mirë të rrjetit të tyre, ndërkohë që qytetarëve u bëj thirrje edhe njëherë, t’i rikthehen këtij mjeti efikas, të pakushtueshëm dhe pse jo të shëndetshëm të transportit, në qytetin tonë” – u shpreh z. Basha.

KOMENTE