Po botojmë fjalën e plotë të Kryeministrit Berisha mbajtur dje në seancën e Kuvendit popullor lidhur me ndryshimet kushtetuese për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë
"Të nderuar qytetarë dhe qytetarë shqiptarë që ndiqni sot këtë seancë parlamentare të një rëndësie historike për vendin, seancë e cila sipas një ujdie paraprake do të realizojë zhveshjen nga imuniteti të zyrtarëve të lartë shqiptarë imunitarë, do të vendosë për të bërë Shqipërinë si shumica e vendeve të civilizuara dhe të lira, në të cilat deputetët, gjyqtarët, qeveritarët, nuk kanë imunitet, për sa i përket korrupsionit dhe krimit të zakonshëm.
Për mua personalisht kjo është një ditë e një rëndësie të jashtëzakonshme, është finalizimi i një beteje shumëvjeçare për realizmin e këtij akti madhor kushtetues, nga i cili nuk përfiton asnjë forcë politike, nga i cili nuk mund të ketë kredibilitete individuale, nga i cili fiton çdo qytetar shqiptar, nga i cili fiton rendi kushtetues i Shqipërisë, nga i cili fiton Kushtetuta e vendit, e cila bëhet një dokument më i drejtë, më i barabartë për qytetarët e saj.
Kjo histori 10 vjeçare është një histori e gjatë, por sërish duhet të them se ky është një happy end, pasi më në fund u arrit konsensualisht të bihet dakord për tekstin e votuar. Gjatë këtyre 10 viteve ndihem i lehtësuar sepse kemi iniciuar këtë proces, kur në këto karrige kemi qenë pakicë dhe jo shumicë, kemi persistuar në qëndrimin tonë, sapo u kthyem në pushtet, kemi vazhduar në persistimin tonë, nuk kemi arritur të gjejmë konsensusin, por nuk kemi rreshtur kurrë së kërkuari këtë dhe kjo sepse ne nuk e kishim këtë për vete, nuk e kishim për kapital politik, e kishim për interesat e mbarë shoqërisë shqiptare dhe mendoj se sot, shqiptarët hedhin themelet e një kapitulli të ri, në qëndrimin e zyrtarëve të vet ndaj ligjit, por dhe në tërësi në lehtësimin e punës së vështirë, të komplikuar, të ndërlikuar të sistemit të akuzës dhe të drejtësisë në vend.
Duke mos humbur asnjëherë durimin për të kërkuar konsensusin e opozitës ne bëmë gjithçka për tu gjetur në ujdi me të. Drafti që ne paraqitëm tre muaj më parë, natyrisht është drafti që unë vlerësoja se do të ishte më i mirë, por më i miri është ai që pranohet nga të gjitha palët, sikundër opozita ka të drejtë, të kërkojë në çdo rrethanë disa garanci më shumë se qeveria, ndaj dhe unë i kërkova zotit Paloka që në ato takime që zhvilloi me përfaqësuesit e PS-së të bëjë të gjitha lëshimet e nevojshme, pavarësisht se drafti nuk do të ishte më ai që kishim dorëzuar ne, por do të ishte konsensual dhe më i mirë se sa një draft i njëanshëm. Dua tu falënderoj për një moment, jo pse ju po votoni , por se dua atë jem i hapur dhe i sinqertë, nga të gjitha proceset demokratike, njëri është më i vështiri për mua dhe ky është referendumi. Ju jap fjalën që do shkoja kundër dëshirës sime, sepse ai që e humbet njëherë referendumin, e ka shumë të vështirë që të kalojë për herë të dytë në atë shteg, por për këtë çështje madhore, unë kisha vendosur të shkoja drejt referendumit, sepse e konsideroja një çështje madhore jashtë tagrit tonë dhe kisha besim të madh se qytetarët shqiptarë do ta votonin, sikundër kisha vendosur se do të pranoja çdo lloj verdikti të tyre, por nga ana tjetër kishim bërë detyrën tonë që na përkiste. Kjo u shmang dhe për këtë unë ju falënderoj që të jem i sinqertë. Ju keni paraqitur një seri amendamentesh për reformën në drejtësi. Ju pretendoni se shqetësimi juaj kryesor është pavarësia e këtyre institucioneve. E vërteta është se nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa pavarësia e institucioneve kushtetuese dhe funksionimi i tyre në përputhje me ligjin. Po më duhet tu them se nuk ka rëndësi ajo që flet, por më rëndësi ka ajo që bën dhe për çfarë besohet. Në rast se kthehemi dhe i shohim gjërat direkt në sy ardhja juaj në pushtet, çfarë vendosi në krye të institucioneve kryesore kushtetuese të vendit? Në rast se sot, në krye të institucioneve kushtetuese është një gjykatës, i cili regjistron në kurrikulën e tij, njësoj si zoti Pandeli, pjesëmarrjen në lëvizjen e studentëve të dhjetorit’ 90, pra nuk ka asnjë kurrikul dënimesh të shkuara, por që nuk ka qenë asnjë ditë në parti, pasi ai pas dhjetorit nuk shkoi as në Partinë Socialiste dhe as në atë Demokratike, pasi ai ndoqi rrugën për të cilën po studionte në fakultet dhe sot po drejton Gjykatën Kushtetuese. Në rast se ju na bindni ne, se ky zotëri ose vendi është i varur krahasuar me ish anëtarin e kryesisë së Partisë Socialiste Fehmi Abdiun dhe unë nuk po merrem me kapitullin tjetër të dënimeve të tij, po vetëm me faktin që ishte anëtar i kryesisë së PS. Pra ai ishte anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, anëtar i forumeve të PS dhe u ul menjëherë në krye të Gjykatës Kushtetuese. Nuk po ndalem këtu ne rekordet e Gjykatës Kushtetuese të dëshmuara nga vëzhgues ndërkombëtarë në mënyrën më të përsëritur, se nuk ia vlen të ndalemi në gjëra të tilla. Po në Gjykatën e Lartë kush shkoi? A nuk shkoi ish anëtari i kryesisë së PS-së dhe ish ministri juaj, zoti Thimio Kondi? E vërteta është se nga anëtar i Kryesisë së PS, nga ministër i qeverisë së PS-së përfundoi në krye të Gjykatës së Lartë. Pra kjo është drejtësia që nënkuptoni ju. Po marr disa institucione të tjera. Kandidatin për deputet tuajin, ju e vutë në krye të Ombudsman-it, ish ministrin tuaj e vutë zëvendëskryetar të KLD-së, zëvendësministrin e Punëve të Brendshme e vutë kryetar të KQZ-së. Pra koncepti juaj ishte që, çdo institucion kushtetues të kishte një udhëheqës të lavdishëm partie në krye. Natyrisht evolucioni është evolucion. Sot në krye të Gjykatës së Lartë është një gjykatëse e diplomuar në vitet ‘85-86, që nuk ka bërë ndonjë proces politik gjatë jetës së vet dhe e kemi votuar bashkërisht në këtë parlament pasi mbaroi mandati i gjykatësit tjetër. Sot Ombudsman-i është një kandidaturë e juaja, e pranuar edhe nga ne, për të cilin vumë një kusht të mos jetë nga ata që kanë persekutuar qytetarët shqiptarë më parë. Ky është varianti i parë. Por ju nuk jeni të besueshëm sepse qëndrimi juaj në periudhën e shkatërrimit, për të mos thënë e shpartallimit të sistemit të drejtësisë nga Topi juaj dhe faqeziu tjetër është periudha më e zezë. S’do të mund të flisja kurrë kështu, po të mos ishin faktet, se si ju u dystuat në një veprimtari të turpshme, në një veprimtari kriminale ndaj institucioneve të vendit, ndaj këtyre dy personave për faktin e vetëm se ata punonin kundër meje dhe unë ju sodisja ju. Unë ç ‘është e vërteta , ju më lehtësonit mua se unë kisha përgjegjësitë e mija dhe përgjegjësitë e mija ishin këto, që unë isha autori i propozimit të të dyve për ato vende. Por në qoftë se opozita do ti thoshte vetes opozitë, në qoftë se opozita ishte e vendosur dhe që besonte në parimet e demokracisë, akti i parë që bënte kur këta zotërinj ato institucione të nderuara po i sillnin ashtu siç thoshte poeti ynë i nderuar Dritëro Agolli dikur, kur i transformuan në atë mënyrë, ju si opozitë duhet të ngriheshit fuqishëm të vendosnit qeverinë me shpatulla pas murit për ta, por ju ndanit trofetë e veprimtarisë së tyre shkatërrimtare, ju ndanit trojet dhe pronat me ta. Kjo është e vërtetë, pasi Topin e reformuan lejet e ndërtimit. Si e reformuat ju atë? Çfarë ndodhi sot në sistemin e drejtësisë, shkoni dhe flisni me gjykatës. Kam ndjerë dhimbje të mëdha kur raportet ndërkombëtare dëshmonin fakte të tilla se “për tu transferuar nga Durrësi në Tiranë duhet të paguaje 50 mijë euro” Ato janë raporte ndërkombëtare të cilat ju i keni lexuar, por i mbani të fshehura në mediat tuaja. Në ato raporte thuhej se “për të ardhur nga një qytet tjetër në Tiranë duhej të paguaje 200 mijë euro.” Dhe të gjithë këto janë raporte të ekspertëve ndërkombëtarë që kanë monitoruar Shqipërinë.
Pra, ku u katandis drejtësia? Një muaj më parë një kriminel ekzekuton në rrugë dy vëllezër, gjykatësi ndodhet në KQZ si inspektor i Topit. Po ky që vrau komisarin, a e dini ju se çfarë dëshmon gjykatësi? Jam thirrur në KLD- thotë ai - tek faqeziu dhe faqeziu se thërriste dot kurrë pa Topin mbrapa. Ju jeni opozitë dhe në qoftë se ju i besoni parimeve, ju duhet të ishit në kulm, në denoncimin e këtyre akteve, por sa qe Topi në rrjetën tuaj, i premtuat se do të bëhej president dhe të merrte pjesë në intriga, i premtuat se KLD do t’ja votonit Sali Shehut. Dhe këtu abstenuat, s’guxuat të votoni kundër. Krijuam komisionin hetimor për faqeziun e KLD-së, për nënkryetarin e KLD-së, i cili një institucion e solli në situatën më poshtëruese, përdorte paret për të bërë një propagandë primitive, përdorte paret e KLD për të ndërmarrë udhëtime. Por çfarë ju pengoi ju, të merrnit pjesë në një komision hetimor dhe të denonconit Sali Berishën që e propozoi? Ju duhet të dini një gjë, që qytetarët shqiptarë janë të mençur, të mprehtë, me instikte politike sa të gjithë politikanët e këtij vendi. Por ai ju duhej, se ai po krijonte partinë e tij, Topi po krijonte partinë e vet, pavarësisht se Topi tani ju ka hyrë në qyp dhe ju po përpiqeni ta nxirrni nga qypi e të tjera me rradhë. Pra sa të besueshëm jeni ju , kur tani që ju iku Topi, tani që ju iku faqeziu , tani bërtisni pavarësi e institucioneve? Rroftë pavarësia. Por ku konsiston pavarësia, tek Topi dhe tek ai që krijon parti politike në institucionet kryesore të vendit? Atë quani ju pavarësi? Pse nuk u ngritët ju për pavarësi institucionesh, kur ata montonin për vete aferat prej 500 mijë metrash katrorë në bregdet? Ato janë të denoncuara. Pse nuk pyesni ju pse e dha dorëheqjen Altin Dumani? Çfarë opozite jeni ju? Pse nuk pyesni ju kush e detyroi Altin Dumanin të japë dorëheqjen? A e dini ju se Altin Dumani është një prokuror, se ku punon nuk e di, por fund e krye ishte i majtë , në background ishte i majtë, në qëndrim ishte i majtë, por i ndershëm dhe me integritet. Pse nuk u ngritët ju kur ju e patë se Altin Dumani penalizoi me qindra zyrtarë të Sali Berishës? Pse nuk u ngritët ju në mbrojtje të tij, kur ndrikulla e korrupsionit për shkak të 500 mijë metrave katror në bregdet, pas së cilës qëndronte lukunia, e detyruan të japë dorëheqjen? Nuk ka gjë më të rëndësishme se sa të propozosh dhe të tentosh ti fuqizosh këto institucione, se loja politike është lojë politike, por shteti do institucione, liritë e qytetarëve duan institucione. Por sa të besueshëm jeni ju? Përse nuk e bëtë ju këtë 6 muaj më parë, përse nuk e bëtë 1 vit më parë, përse nuk e bëtë 2 vjet më parë apo kishit Topin me topin tjetër në krye të këtyre institucioneve. Po të doja unë mua më vinte për mbarë të flisja këtu për Rexhep Mejdanin, t’ia faturoja atij këtë proces, më vinte edhe më për mbarë t’ia faturoja Alfred Moisiut, por unë dua të jem i ndershëm dhe objektiv. Përse reagoni ju kur denoncohen aferat e tyre, përse nuk erdhët ju në komisionin parlamentar kur nënkryetari i KLD bënte fushatë në Partinë e tij. Çfarë thonin qytetarët shqiptarë kur shikonin nënkryetarin e KLD, kryetar të një partie, çfarë thonin gjykatësit shqiptarë kur shihnin se ky hajdut i fondeve publike do të kërkonte etiketë ndaj tyre?
Për 500 mijë metër katrorë në bregdet është ngritur dosja. Ajo që e mbylli dosjen e vërteta është që do të bjerë nën të, se ajo dosje nuk mbyllet kurrë. Ata mund të thyenin një prokuror që ishte një njeri i ndershëm, por që nuk mund ti rezistonte dot kupolës së mafies dhe u detyrua të japë dorëheqjen, por beteja vazhdon. Jua thashë këto fjalë se unë nuk kam paragjykim ndaj asnjë propozimi. Po përgjigjuni pyetjes, po ju ku ishit kur ne sollëm komisionin hetimor. A krijoi ai lëvizjen Kuq e Zi kur ishte në krye të KLD-së? Apo kjo ju interesonte se kjo ishte kundër meje? Ku ishit ju, pse nuk morët pjesë? A ju dhimbseshin ju institucionet kushtetuese të vendit? A ka më të interesuar në një vend për pavarësinë e institucioneve sesa vetë opozita. A është opozita autoriteti moral i vendit? Të gjitha këto ju nxjerrin ju zbuluar, se ju vajtoni me këto amendamente vajtimin e Topit dhe atij faqeziut nga nënkryetar i KLD-së.
Pra të nderuar zotërinj, meqenëse ju e keni bërë kështu dhe kjo është zgjedhja juaj , jo e imja do tu them një gjë tjetër. Ne pranuam çdo propozim tuajin për imunitetin. Rrëzuam teza që i kishim pranuar për vite të tëra. Kemi qenë të vendosur për mos ndryshim të kushtetutës, u tërhoqëm, kemi qene të vendosur për kontroll banese pa leje, por u tërhoqëm dhe këto janë të faktuara në dokumenta. Por nuk mund të pranojmë kurrë shkatërrimin dhe paralizën e institucioneve kushtetuese, siç ndodhi me Ombudsman-it që e latë dy vjet pa kokë. Nuk mund të bëjmë këtë se demokracia pastaj humbet çdo kuptim, nuk mund të bëjmë këtë që të vendosim këtu sundimin e pakicës mbi shqiptarët. Alternativa është rregulli i demokracisë. Ju të cilët emëruat të gjithë kryesinë e PS në krye të institucioneve kushtetuese kur patë pushtetin, ju të cilët heshtët dhe mbështetët fuqimisht rrënimtarët e këtyre institucioneve me faktin e vetëm se po krijonin partiçka në favorin tuaj, ju tani dilni si kalorës të pavarësisë së tyre. Jo more zotërinj, absolutisht as fqinji juaj nuk ju beson, ai që keni karshi. Le të jetë socialist, je të jetë demokrat, le të jetë çfarë të dojë, por po të shkoni dhe ta pyesni – a na besoni, me siguri do tu thotë JO.