English

Inspektoriati Ndërtimor i Bashkisë : qytetarë, mos ndërtoni pa leje se nuk do të fitoni

Inspektoriati Ndërtimor i ka dhënë fund dje, një ndërhyrje të paligjshme, në një prej pallateve të zonës së Shallvareve, ndërhyrje e cila ka dëmtuar rëndë strukturën mbajtëse të pallatit, duke cënuar jetën e banorëve. Drejtori i Inspektoriatit të Ndërtimit z. Florenc Hoxha ka shprehur vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës, për të mos lejuar ndërtimet pa leje në Tiranë, sikundër ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve, për të denoncuar çdo rast të konstatuar si ndërtim pa leje.

“Inspektoriati i Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës ka ndërmarrë një aksion, për t’i dhënë fund kësaj shkelje flagrante që u bëhet kushteve dhe kondicioneve të ndërtimeve, pra kjo banesë momentalisht është rrezikuar nga kjo ndërhyrje flagrante në themelet e saj. Ne po i themi “stop” këtij ndërtimi, duke e kthyer në gjendjen e mëparshme. Pra, edhe njëherë shprehim vendosmërinë tonë, për t’i thënë “stop” njëherë e mirë të gjithë ndërtimeve pa leje në Bashkinë e Tiranës.

Ne u bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, të mos ndërtojnë pa leje por t’i drejtohen zyrave përkatëse pranë Bashkisë së Tiranës për të marrë lejen përkatëse. Gjithashtu u kërkojmë atyre, që në të gjithë rastet që ato do të identifikojnë ndërtime pa leje, të bashkëpunojnë me ne, duke na telefonuar ose përmes mesazheve në numrat përkatës që kemi afishuar në të gjithë seksionet pranë Policisë Bashkiake.

Subjekti në fjalë ka bërë ndërhyrje në pjesën e trotuarit, bordurës etj, duke dëmtuar rëndë strukturën mbajtëse të pallatit, pra themelet e saj. Në këto pallate apo në këtë bllok pallatesh, dihet shumë mirë që ka pasur ndërhyrje të tilla, por ne do të vazhdojmë në ditët e ardhshme, për t’i kthyer në gjendjen e mëparshme dhe nuk do lejohet më të bëhen ndërhyrje të tilla, për të rrezikuar apo cënuar jetën e banorëve të pallatit”

KOMENTE