English

USAID-i favorizon sistemin bujqësor në vend për marrje kredie

USAID-i nëpërmjet Autoritetit te Kredisë për Zhvillim (Development Credit Authority - DCA), po shton mundësitë e kredimarrjes për sektorin e bujqësisë dhe për agrobizneset në Shqipëri. Përmes marrëveshjes për kredi bujqësore në shumën 15.000.000 dollarë amerikanë ndërmjet USAID-it dhe dy bankave vendase, ProCredit dhe Banka Kombëtare Tregtare (BKT), fermerë shqiptarë dhe ndërmarrje të vogla dhe të mesme bujqësore (SME) do të mund të marrin kredi më me lehtësi.

Në ceremoninë e nënshkrimit në Ambasadën Amerikane foli Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i ri i Misionit të USAID-it në Shqipëri, Jim Barnhart, Drejtori Ekzekutiv i BKT-së, Z. Seyhan Pencapligil, dhe Zëdhënësja e Bordit Drejtues të ProCredit në Shqipëri, Znj Flutura Veipi.

Një nga shqetësimet kryesore për kompanitë është financimi. Në fakt vetëm rreth 2% e kredive private shkon në sektorin e bujqësisë. Përmes programit DCA, do të jepen kredi për ndërmarrje bujqësore që merren me prodhimin e produkteve të qumështit, të frutave dhe perimeve të freskëta e të përpunuara, përfshirë ullirin dhe bimët mjekësore e erëzat, për të mbështetur investimet në teknologjitë e reja, paketimin dhe marketingun.

USAID-i ka qenë aktiv në mbështetjen e bujqësisë shqiptare që kur ka filluar punën në Shqipëri në vitin 1992. Në fillim puna ka qenë fokusuar në sigurinë e ushqimit dhe në teknikat bujqësore bazë. Kohët e fundit puna është fokusuar në rritjen e konkurrueshmërisë së fermerëve shqiptarë dhe të agrobizneseve në tregjet e brendshme dhe të eksportit, përmes teknikave të përparuara, kontrollit te cilësisë, marketingut dhe paketimit. Shumë përparim është bërë gjatë njëzet viteve të fundit, por, në sektorin e bujqesise, Shqipëria ka ende një raport ndërmjet importit dhe eksportit 9 me 1 Afërsisht 50% e fuqisë punëtore është aktive në bujqësi, dhe bujqësia ofron një mundësi të rëndësishme punësimi dhe një sistem të sigurisë shoqërore gjatë kohës së vështirësive ekonomike.

Kjo marrëveshje u modelua sipas një programi të ngjashëm, të iniciuar nga USAID-i në Kosovë në vitin 2007, program ky që ka rritur së tepërmi kreditimin e huamarrësve bujqësorë.në Kosovë.

Të dyja bankat, BKT dhe ProCredit, do të promovojne produktet e tyre të reja të kredisë për huamarrësit e mundshëm bujqësorë gjatë Panairit të Përvitshëm Shqiptar të Bujqësisë në Tiranë, në datat 20-23 shtator 2012.

KOMENTE