Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, priti dje në një takim, Ambasadoren e Gjermanisë në Tiranë, znj. Carola Müller–Holtkemper dhe Ambasadorin e Hungarisë, z. János Huszár.
Bashkëbiseduesit ndanë mendimet e tyre rreth nxitjes së bashkëpunimit rajonal në perspektivën e integrimit evropian të të gjitha vendeve të rajonit.
Ministri Panariti u shpreh se, duhet të nxitet bashkëpunimi rajonal jo vetëm përsa i përket dialogut politik, uljes së tensioneve dhe diskutimit të problemeve në një frymë miqësore, por edhe duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e lehtësive të nevojshme për investimet e huaja, duke e parë rajonin si një treg të madh të hapur të përbashkët.
Më tej, bashkëbiseduesit u shprehën se kontaktet e vazhdueshme mes autoriteteve të rajonit, lëvizja e lirë e qytetarëve në rajon, heqja e barrierave kufizuese tarifore për shkëmbimet tregtare i shërbejnë perspektivës së përbashkët të integrimit evropian të të gjitha vendeve të rajonit.