English

Jozefina Topalli takime me zyrtarë të lartë në Strasburg

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli në kuadër të vizitës së saj në Strasburg ku merr pjesë në Konferencën Europiane të Presidentëve të Parlamenteve, 20-21 shtator 2012, zhvilloi sot, më 20 shtator një takim me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Jean-Claude Mignon.

Njohës i mirë i zhvillimeve në Shqipëri, që në vitin 1990, z. Mignon vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm dhe të shpejtë që ka kryer ky vend. Në këtë kontekst, ai çmoi se Shqipëria, në një hark kohor kaq të shkurtër, ndodhet në krye Këshillit të Europës për të dhënë kontributin e tij të çmuar në promovimin e vlerave të kësaj organizate.

Në këtë takim z. Mignon shprehu kënaqësinë dhe vlerësimet e tij për Presidencën Shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës dhe kontributit të saj, jo vetëm për forcimin e bashkëpunimit mes Asamblesë Parlamentare të KiE dhe Komitetit të Ministrave të kësaj organizate, por edhe për kontributin e kësaj presidence në drejtim të disa prej çështjeve më të rëndësishme ku është fokusuar puna e KiE dhe sidomos në reformën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Topalli, falënderoi Presidentin Mignon për këtë takim dhe vlerësoi kontributin e çmuar e institucionit që ai drejton, si një nga forumet më të vjetra të demokracisë me të cilin, Znj. Topalli ndan një bashkëpunim të shkëlqyer.

Ajo shprehu të njëjtin mendim me z. Mignon për rëndësinë dhe rolin që luan ky forum tepër i rëndësishëm në çështje jo vetëm të hapësirës prej 800 milion qytetarësh që mbulon, por edhe në nivel global.

Znj. Topalli tha se ndihet krenare që Shqipëria ndodhet në krye të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, gjë që më parë konsiderohej e pamundur, ashtu siç konsiderohej edhe anëtarësimi në NATO. Por ja që me angazhim të plotë dhe përkushtim këto tashmë janë realitet.

Duke u ndalur në moton e Presidencës Shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës “Të bashkuar në diversitet”, Kryetarja Topalli vlerësoi se këto janë vlera themelore dhe të pazëvëndësusheme në ditët e sotme. Për këtë arsye është tepër e rëndësishme që të përfitojmë sa më shumë nga këto vlera për të përballuar me sukses sfidat dhe vështirësitë që hasim në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Në këtë kontekst, znj Topalli u ndal edhe në procesin për marrjen e statusit të vendit kandidat duke shprehur besimin se me reformat dhe progresin e prekshëm që ka arritur Shqipëria këtë herë Europa do të marrë vendimin e duhur duke e pranuar vendin tonë në gjirin e saj. “Si shqiptare, theksoi ajo, objektivi ynë kombëtar është marrja e statusit, por kjo do të sjellë përfitime si për Shqipërinë, ashtu edhe për BE-në duke pasur parasysh vlerat unike të vendit tonë në harmoninë e besimeve fetare dhe dialogun ndërkulturor”.
Në përfundim të takimit, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli falenderoi z. Mignon për mbështetjen e tij në hapjen e një ekzpozite ku promovohen vlerat, trashëgimia kulturore dhe natyrore e Shqipërisë, e cila do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë punimeve të Konferencës Europiane të Presidentëve të Parlamenteve.

Pas takimit me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zoti Jean-Claude Mignon tha për mediat:

"Shqipëria është një kandidate potenciale per t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Unë jam një parlamentar francez, dhe sigurisht unë e monitoroj me shumë interes progresin e vendit tuaj në rrugën e integrimit. Dua gjithashtu të përgëzoj kryetaren Topalli për mënyrën sesi e drejton debatin politik në Parlament. Dhe nuk ka qenë aspak e lehtë. Në fakt komitetit të ministrave dhe Asamblesë Parlamentare i është dashur të ndërhyje për tu siguruar që mazhoranca dhe opozita të punonin së bashku. Mendoj se rezultati erdhi falë kontributit tuaj".

KOMENTE