English

Nikolin Thana, shefi i policisë Korçë, bie në prangat e policisë (VIDEO)

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme, ka kryer veprimet e para hetimore në ngarkim të punonjësve të policisë Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani, pasi mbi ta rëndon akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, lidhur me mosveprimet e tyre në ngjarjen tragjike të datës 13.09.2012, ku humbi jetën Shefi i Komisariatit të Policisë Shijak, Kryekomisar Adem Tahiraj. Këto veprime janë kryer, – krahas veprimeve hetimore të kryera nga sektori i Krimit të Organizuar pranë DPQ Durrës, – nën drejtimin e prokurorisë për Krime të Rënda. Të dy punonjësit e policisë që kanë qenë në vendngjarje, duke kryer detyrën së bashku me kryekomiasr Tahirajn, megjithëse kanë patur të gjitha mundësitë, nuk kanë kryer asnjë veprim për të parandaluar vrasjen, neutralizuar vrasësin apo për ta kapur dhe arrestuar atë.

Mosreagimi apo mosveprimi i punonjësve të policisë së lartpërmendur, bie ndesh me detyrimet ligjore, që parashikon ligji nr. 9749, “Për Policinë e Shtetit”, ku në nenin 4, “Përgjegjësitë e Policisë”, në pikën 1, germa “a” thuhet: “Përgjegjësitë e policisë janë si më poshtë: “a”- të mbrojë jetën e njerëzve, sigurinë dhe pronën e tyre personale” dhe pikën 2 të këtij neni, ku thuhet: “Çdo punonjës i policisë ka për detyrë të përmbushë të gjitha përgjegjësitë e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, pavarësisht se cilës strukture i shërben”. Paralelisht, shkeljet e mësipërme, të kryera nga punonjësit e policisë Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani, referuar edhe pasojës tepër të rëndë të ndodhur, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës dhe përmbajnë elementë të figurës së veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Për këtë arsye, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm bëri ndalimin e punonjësit të policisë Fatmir Hoxha për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe ka shpallur në kërkim policor punonjësin tjetër të policisë, Kastriot Gosturani, i cili i është shmangur hetimit të kryer nga ana e SHKB-së. Materialet i janë referuar për ndjekje penale dhe kompetencë, prokurorisë së rrethit Durrës.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me seksionin e Task Force të Prokurorisë së rrethit Korçë, arrestoi sot në kushtet e flagrancës, Shefin e Komisariatit Korçë, Kryekomisar Nikolin Thana, duke marrë si mitëmarrje shumën prej 100 mijë lekësh të reja. Së bashku me Kryekomisar Thanën, janë arrestuar në kushtet e flagrancës edhe Jetnor Hysenllari, punonjës i komunës Voskopojë, Arben Hasanllari, punonjës i policisë së komunës Voskopojë, si edhe shtetasi Hysni Myrtollari, të cilët në këmbim të favoreve për të njëjtën çështje, përfituan si mitëmarrje shuma të ndryshme lekësh.

Prej disa kohësh, pas sinjalizimeve për afera korruptive, SHKB kishte filluar hetimet ndaj shtetasve të sipërpërmendur, të cilat sot u finalizuan me arrestimin e tyre. Materialet hetimore në ngarkim të tyre, do t’i dërgohen në vijim prokurorisë së rrethit gjyqësor Korçë.
1350

KOMENTE