Është nënshkruar dje nga Ministri i Brendshëm z. Flamur Noka dhe ambasadorja e Republikës së Francës në Tiranë, znj. Kristinë Moro, marrëveshja e përbashkët për ndërtimin e ambienteve të posaçme për intervistimin e të miturve, të cilët janë dëshmitarë në krime, viktima të keqtrajtimit, shfrytëzimit për prostitucion apo trafikimit. Kjo marrëveshje, që përban fazën e dytë të këtij të projekti të përbashkët mundëson financimin për ngritjen e sallës së veçantë pranë Drejtorisë së Qarkut Vlorë. Në fazën e parë të këtij projketi, ka përfunduar ndërtimi i kësaj salle në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Në fjalën e tij, Minsitri i Brendshëm, z. Flamur Noka tha:
“Jemi këtu sot me Shkëlqesinë e Saj, Ambasadoren e Republikës së Francës në Tiranë zonjën Kristinë Moro, për të konfirmuar vullnetin e plotë, në kuadër të politikës së bashkëpunimit ndërajonal, në luftën kundër shfrytëzimit të qenieve njerëzore. Me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme hedhim hapin drejt fazës së dytë të nismës së përbashkët, për ndërtimin e ambienteve të posaçme për intervistimin e të miturve në përgjithësi, por edhe të miturve që janë dëshmitarë në krime, viktima të keqtrajtimit, shfrytëzimit për prostitucion apo trafikimit në veçanti. Marrëveshja në fjalë mundëson financimin për ngritjen e sallës së veçantë pranë Drejtorisë së Qarkut Vlorë. Fëmijët janë një kategori, e cila ka nevojë më shumë se kushdo kategori tjetër, për një trajtim të posaçëm dhe të veçantë, si nga ekspertët e Policisë, të sistemit të drejtësisë ashtu dhe nga ekspertët që ofrojnë ndihmë psikologjike apo sociale. Krijimi i këtij ambienti të posaçëm për intervistim e të mitureve siguron ndjenjën e privatësisë, i bën ata të ndjehen të sigurtë fizikisht dhe psikologjikisht gjatë intervistës. Rrjedhimisht, këto kushte ndikojnë në një reagimin pozitiv në dhënien pa droje të informacioneve të nevojshme, por edhe të domosdoshme për fillimin e hetimeve të procesve të ndryshme penale. Në fakt, ndërtimi dhe vënia në funksion e ambienteve të posaçme për intervistimin e fëmijëve është një prioritet dhe objektiv, i parashikuar në ‘Planin e Veprimit për Fëmijët 2012-2015’, plan që u miratua me Vendim të Këshillit të Ministrave, në mars të këtij viti.
Sikundër e theksova, kjo është faza e dytë e projektit me Ambasadën Franceze, ndërkohë që në fazën e parë u mundësua ndërtimi i ambientit të posaçëm për intervistimin e të miturve, pranë Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë si dhe u krye trajnimi i 18 punonjësve të policisë, të cilët janë profilizuar për trajtimin e të miturve. Ministria e Brendshme do të të vazhdojë zbatimin e masave që kanë për qëllim asistimin e të miturve, viktima të shfrytëzimit të qenieve njerëzore gjatë të gjithë fazës së hetimeve dhe jo vetëm. Qëllimi ynë është të zhvillojmë metoda të përshtatshme, bashkëkohore për marrjen në ngarkim të të miturve në vështirësi viktima të shfrytëzimt, duke synuar kështu jo vetëm ri-integrimin e tyre në jetën shoqërore, por edhe kujdesin më të madh të mudshëm për të ardhmen e tyre.
Me këtë rast shpreh falënderimet dhe mirënjohjen e veçantë për Autoritetet Franceze që nëpërmjet Përfaqësisë së Përhershme të Francës pranë Kombeve të Bashkuara, Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, si edhe Ambasadës Franceze në Tiranë ka mundësuar mbështetjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Shtetit me qëllim vazhdimin e konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe forcimit të rendit dhe sigurisë publike në vend”.
Ndërkohë që ambasadorja e Republikës së Francës, në Shqipëri, znj. Kristinë Moro, pasi falënderoi Ministrin Noka për bashkëpunimin e shkëlqyer bilateral, nënvizoi se ky bashkëpunim do të vijojë edhe në të ardhmen, pasi çështja e trafikimit apo shfrytëzimit të fëmijëve është një fenomen ndërkombëtar, ku shkëmbimi i eksperiencave më të mira në këtë fushë, do të ndikonte ndjeshëm në luftën ndaj çdo lloj shfytëzimi ndaj të miturve.