Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, mbrëmjen e djeshme, u krye ekstradimi nga Athina, Greqi, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Fiqiret Qemal DELIJA, vjeç 47, lindur në në Qenas–Fier.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr.385, datë 28.12.2001, e ka dënuar shtetasin Fiqiret DELIJA, me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake“, parashikuar nga nenet 76 e278/2, të Kodit Penal.
Shtetasi Fiqiret DELIJA, është deklaruar fajtor pasi më datë 18.03.1999, në fshatin Pojan, Fier në ambientin e një servisi makinash, pas një konflikti të momentit me shtetasin Arben Driza, e ka qëlluar këtë shtetas me armë zjarri të llojit pistoletë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, më datë 30.09.2011, në Greqi, u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas shtetasi i mësipërm i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.