English

Kryeministri Berisha merr pjesë në takimin e liderëve të Demokratëve të Qendrës, në Itali

Kryeministri Berisha mori pjese dje në mesditë ne punimet e Ndërkombëtares së Demokrateve te Qendrës, që u zhvillua në Rome në ambientet e Parlamentit Italian. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli.

Në takimin që u drejtua nga Presidenti i Internacionales së Demokratëve të Qendrës, zoti Pier Ferdinando Casini, morën pjesë liderë politikë nga vendet anëtare, ndër të cilët kryeministrat e Spanjës, Irlandës, Hungarisë dhe Greqisë.

Në fokus të eventit ishte rëndësia e ndërtimit të konsensusit dhe qëndrimit të përbashkët mes të gjitha partive politike anëtare të Ndërkombëtares së Demokratëve të Qendrës, në kuadrin e momenteve të vështira që po kalon Evropa, Afrika e Veriut, Lindja e Mesme dhe rajonet e tjera të botës.

Kryeministri Berisha iu drejtua punimeve të këtij eventi me një fjalë ku vuri theksin në kthimin tek liritë si rruga më e mirë për daljen nga kriza që ka përfshirë Evropën dhe botën. Në këtë fjalim, Kryeministri Berisha u shpreh se vlerat e lirisë, demokracisë dhe tregut që janë konsoliduar në Shqipëri, janë në themel të zhvillimit të saj të jashtëzakonshëm në 20 vjet që nga rrëzimi i diktaturës komuniste dhe përballimit me sukses të krizës ekonomike botërore.

Takimit të Demokratëve të Qendrës i drejtuan fjalime edhe kryeministri i Spanjës, ai i Irlandës, kryeministri i Hungarisë dhe ai i Greqisë. Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Kryeministri i Italisë, Mario Monti. Në fillim të punimeve të saj, Demokratët e Qendrës zgjodhën organet drejtuese.

Më herët, në kuadër të pjesëmarrjes në këtë aktivitet të rëndësishëm, me ftesë të Kryeministrit Italian, Kryeministri Berisha mori pjesë në një drekë të shtruar për nder të kryeministrave pjesëmarrës në këtë aktivitet.

KOMENTE