"Taksat jo vetëm që janë dyfishuar, por ne paguajmë taksa edhe për mallin që u japim veresie njerëzve ne nevojë".
Ky ishte denoncimi i radhës që tregtarët e zonës së Kinostudios në Njësinë Bashkiake nr.4 në kryeqytet kanë bërë përpara përfaqësuesve të Partisë Socialiste. Deputeti Fatmir Xhafaj dhe Sekretari për Programin ne PS, Ilir Beqaj, si dhe këshilltarë socialistë të njësisë, kanë zhvilluar sot paradite takime me tregtarë dhe përfaqësues të biznesit të vogël në zonën e Kinostudios. Në këto takime tregtarët kanë shprehur shqetësimet e tyre për rënien e vazhdueshme të fuqisë blerëse dhe shtimin e listave të borxhlinjve. “Kam nja 3-4 fletore me emra borxhlinjsh. Nga viti i kaluar jemi në rënie fare. Njerëzit s’kanë lekë të më japin mua, unë s’kam lekë të furnizohem dhe shkon rresht muhabeti. Çmimet aty ku furnizohemi ne rriten përditë, ndërsa taksat janë bërë dyfish nga ç’kanë qenë vjet”, është shprehur një mesogrua e cila ka një dyqan ushqimor. Ajo tregon edhe për absurdin e radhës së administratës tatimore, e cila u kërkon tatim edhe për mallrat që merren me listë: “Kasa fiskale duhet paguar dy herë në vit. Dhe kur vjen puna nuk do t’ia dijë njeri nëse ke shitur apo ke dhënë veresie. Duhet ta kalosh patjetër në kasë. Edhe kur unë nuk i marr lekët e mallit duhet ta kaloj në kasë dhe të paguaj tatimin”
Në bashkëbisedim e sipër Ilir Beqaj e ka garantuar tregtaren për ndryshimin që do të bëjë Partia Socialiste me të ardhur në pushtet: “Gjëja e parë që do bëjë qeveria socialiste, në shtatorin e viti të ardhshëm do të jetë heqja e taksës së biznesit të vogël. Janë të paktën 70 mijë familje në Shqipëri që merren me biznes të vogël. U premtua në vitin 2005 që do përgjysmohej. U përgjysmua në fillim, pastaj u futën dy taksa të tjera, u shtua dhe tatim-fitimi për biznesin e vogël, edhe u ul pragu i TVSH dhe sot ju paguani më shumë se sa paguan biznesi i madh. Por ne taksën e biznesit të vogël do ta bëjmë zero”.
Një djalë rreth të 30-ave pranë një tezge me fruta e perime vazhdon të qajë hallet e përbashkëta të kësaj shtrese. Megjithëse është larg nga dyqani i gruas së mësipërme dhe nuk njihen fare mes tyre, fjalët e tyre ngjajnë si pjesë të një tregimi në vazhdim. “Shumë keq jemi. Çmimet e tregut të shumicës ku furnizohemi ne janë rritur. Ne e shesim mallin për të fituar 100 lekë të vjetra. Shkurt muhabeti tregtia ka rënë shumë. Në krahasim me vjet xhiro ka rënë pothuajse 3-4 herë. Gjysma e njerëzve marrin me lista. Ja shikojeni fletoren. Po s’kemi ç’të bëjmë. Vjen tjetri dhe nuk i thua dot nuk të jap. Është gjynah, se ne njihemi. Jemi këtu prej kaq vitesh. Taksat janë rritur goxha. Unë paguaj dhe qira dhe ndaj jam edhe më vështirë”, shprehet i riu që shton se ka pak vite që është kthyer nga emigracioni. Ai është duke menduar seriozisht largimin sërish nga vendi, nëse gjërat nuk ndryshojnë.
Pak metra më tej janë një çift bashkëshortësh që shesin veshje të ndryshme. Gjendja e tyre nuk është aspak më e mirë se ajo e kolegëve të tjerë, e po ashtu edhe fjalët e tyre jo më të mira për këtë gjendje që po kalojnë. “Jo sot që është e shtunë dhe nuk ka punë, por gjithë vitin nuk ka pasur punë fare. Rrimë tërë ditën në pritje, i hapim plaçkat në mëngjes e palosim prapë pasdite, nganjëherë pa shitur asnjë fare. Ka rënë fuqia blerëse, ka rënë leku, kanë rënë të gjitha. Çdo vit e më zi po bëhet, çdo vit më sterë. Për 200 lekë shes një palë çorape, për 50 lekë një gjë tjetër, në daç ha bukë, në daç vdis. Edhe ne me lista punojmë. Krejt kjo lagja këtej vjen e kërkon me listë. Unë jam katër veta në familje dhe këtu punojmë bashkë me gruan. Me këtë punë mbahemi gjallë”.
Në mbyllje të këtyre takimeve deputeti Fatmir Xhafaj në një prononcim për mediat është shprehur: “Ajo çka ju dëgjuat vetë nga njerëzit është realisht situata dhe ajo është dhimbja e vërtetë, që flet më shumë se sa komentet që mund t’i bëjmë ne. Tregtarët folën për taksat, për litarin që po u shtrëngohet atyre çdo ditë e më shumë nga njësitë e qeverisjes vendore, nga Bashkia e Tiranës dhe nga organet qendrore. Folën për fukarallëkun dhe varfërinë e tejskajshme. E dëgjuat atë zonjën që tha se kishte jo një, por 3-4 fletore. Ato janë fletoret e varfërisë dhe nga ana tjetër janë një thirrje për gjendjen e rënduar në të cilën ndodhen njerëzit, për paaftësinë e madhe paguese, për sistemin fiskal që në vend ti lehtësojë i rëndon, por njëkohësisht janë dhe një thirrje që një orë e më parë kjo qeveri , e cila ka konsumuar çdo gjë dhe është duke bërë vetëm një punë, se si të vjedhë dhe se si ta rrjep popullin, duhet të iki një orë e më parë”.