English

Rama në Lezhë: T’i japim hapësirë të re grave dhe vajzave, për plotësimin e nevojave të tyre

Partia Socialiste është angazhuar në një fushatë gjithëpërfshirëse në të gjithë vendin për ta ripërtërirë Forumin e Gruas. Për partinë më të madhe në vend, Forumi i Gruas Socialiste, duhet të jetë një fuqi mbështetëse në shtimin e energjive pozitive brenda saj, por ky forum, mbi të gjitha duhet të jetë një instrument që nesër me fitoren e zgjedhjeve, gratë dhe vajzat të shkojnë përpara në jetën e tyre, duke pasur një qeveri që i mbështet në nevojat e tyre.

Në Lezhë, gjatë këtij Forumi, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se në pjesë të ndryshme të saj, Shqipëria po përjeton një kthim mbrapa në raport me gratë dhe vajzat.

“Në pjesë të ndryshme të vendit, po bëhet përditë e më e vështirë që gratë dhe vajzat të realizojnë ambicjet e tyre, pa u penguar nga paragjykimet apo gjykimet e gabuar. Duam t’i japim një hapësirë të re grave dhe vajzave, ku përmes një sërë politikash të reja, t’i mundësojmë atyre lehtësirat e nevojshme” – premtoi Kryesocialisti Rama.

“E këtu nuk është fjala për të pasur një forum, i cili të mblidhet në këtë sallë dy herë në vit, apo pesë herë në vit. Këtu është fjala për të pasur një rrjet grash dhe vajzash që të përçojnë energji pozitive, pasion politik dhe fjalën e duhur tek të tjerat si ju, që kanë nevojë për solidaritet, që kanë nevojë për mbështetje, që kanë nevojë të inkurajohen për tu përfshirë në betejën zgjedhore”.

Edi Rama gjatë fjalës së tij, përfitoi nga rasti për të inkurajuar audiencën femërore lezhiane kur tha: “Përfshirja në betejën zgjedhore nuk do të thotë që ky Forum të mbështesë Partinë Socialiste që nesër të kemi disa deputetë nga Lezha apo një numër deputetësh nga Shqipëria, për të bërë një shumicë dhe pastaj një qeveri që të vazhdojë avazin e vjetër, kurse ju të ktheheni në shtëpi dhe asgjë të mos ndryshojë në shtëpinë tuaj dhe në mjedisin ku ju jetoni. Përkundrazi, këtë Forum duhet ta shihni si instrumentin tuaj, të grave dhe të vajzave për të marrë pjesë, sigurisht në betejën politike, por edhe për të qenë pjesë e kësaj beteje, jo si numër, as si ushtare të verbra, por si zemra dhe si mendje të angazhuara, që në këtë betejë sigurisht të fitojë Partia Socialiste, por nga fitorja e Partisë Socialiste të fitojnë dhe gratë dhe vajzat të drejta dhe lehtësi deri më sot të munguara”.

Rama foli për një qeverisje të socialistëve, e cila përmes rimëkëmbjes së ekonomisë do të rimëkëmbi shoqërinë. “Ne jemi në këtë betejë për të ndryshuar faqen e historisë së këtij vendi, për të rimëkëmbur ekonominë, për të ripërtërirë shoqërinë, për të rivendosur demokracinë dhe për ta ribashkuar Shqipërinë me Europën. Ne nuk jemi në këtë betejë për të ndryshuar flamurin e Partisë Demokratike me flamurin e Partisë Socialiste në tarracën e pushtetit dhe për të lënë të vazhdojë kjo histori politike e ulët, bajate dhe dekurajuese. Jo! Ne jemi në këtë betejë për të luftuar së bashku që në Shqipëri të ketë drejtësi, në Shqipëri të ketë barazi sociale, në Shqipëri të ketë barazi gjinore, në Shqipëri të ketë konkurrencë dhe ai që është i zoti ta marri atë që i takon, pavarësisht sesi e ka emrin, pavarësisht se është nga veriu apo nga jugu, pavarësisht se është kushëriri i dikujt apo kushëriri i askujt. E në fund të fundit, ne jemi në këtë betejë që gjenerata e re të mos jetë një gjeneratë e humbur, por të jetë gjenerata e atyre që nesër do të jetë qytetarë të barabartë në Bashkimin Europian, duke qenë njëkohësisht shqiptarë në shtëpinë e tyre”.

KOMENTE