English

Andis Harasani, dorëzon mandatin e deputetit. Vetëm për arsye personale

Andis Harasani, lë mandadit e tij si deputet i Partisë Socialiste. Vetëm për arsye personale, absolutisht për asgjë tjetër, është shprehur ai pas mbledhjes së grupit të PS-së.

Pas mbledhjes ai ka dhënë intervistë për “Top-Channel”. Intervista e plotë:


Top-Channel – A ka një prapavijë politike lënia e mandatit duke patur parasysh edhe faktin se Harasani ishte pjesë e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS?

Andis Harasani – “Nuk ka asnjë prapavijë politike. Unë i urova edhe zyrtarisht sikurse do të vazhdoj ta uroj PS për fitore në zgjedhjet e ardhëshme . Do të mbështes PS dhe do të jem pranë PS sa herë që PS të ketë nevojë për kontributet e mija. Më vjen keq që u detyrova të largohem pasi ndoshta duhet ta kisha mbyllur deri në fund mandatin, por mendoj që është më e mira kjo. Pata një bisedë shumë të gjatë me kryetarin e partisë dhe ramë dakort të dy dhe duhet ta falenderoj për mirëkuptimin”.

Top-Channel - Pranimi nga kryesocialistit Rama i kërkesës së dorëheqjes, fillimisht është pritur me habi nga grupi parlamentar socialit. Por, cili ishte reagimi i tyre më pas?

Andis Harasani - Për momentin ishte një njoftim surprizë i kryetarit të partisë pasi askush nuk e dinte. Ndoqa rrugën zyrtare duke lajmëruar të parin kryetarin e partisë dhe mbas mbledhjes së grupit të gjithë kolegët më uruan mbarësi, e i urova për mbarësi. Ishte një ndarje mes miqsh dhe shpresoj se nuk është një ndarje përfundimtare është një ndarje nga një detyrë dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen.

Top-Channel - Cilat do të jenë angazhimet tuaja në të ardhmen?

Andis Harasani - Është ende herët për të folur për këtë kam disa plane të mijat kam disa mendime, por për momentin ajo çka ka rëndësi për publikun është që unë nuk do të jem më deputet dhe dua të falenderoj këdo që më ka mbështetur, ashtu siç dua të falenderoj dhe këdo që ka qënë kritik ndaj meje sepse më ka shërbyer për t’u bërë ndoshta edhe më i mirë.

Top-Channel – Lënia e mandatit të deputetit shënon fundin e karrierës suaj politike dhe nisjen e një karriere të re apo vazhdoni të konsideroni veten një politikan?

Andis Harasani - Politika nuk bëhet vetëm me mandat ka forma të ndryshme, pozicione të ndryshme për të bërë politikë. Unë nuk e shikoj vetën jashtë politikës thjesht për shkak, sic e thashë të arsyeve të mija personale prandaj vendosa që të largohem duke dorëzuar mandatin e deputetit pasi mendoj që është gjëja më e drejtë për të bërë qoftë ndaj votuesve, qoftë ndaj grupit parlamentar të PS-së. Për sa kohë që nuk jam i përkushtuar 100 % nuk mund të mbaj një pozicion dhe të paguhem për atë pozicion.

KOMENTE