English

Edi Rama: Ekziston mundësia që Shqipëria të marrë statusin, socialistët do të bëjnë gjithçka

Pas vizitës së zhvilluar në Bruksel lideri i opozitës Edi Rama duke folur para mediave të hënën në mesditë, tha se ekziston mundësia që Shqipëria të marrë statusin dhe se socialistët do të bëjnë gjithçka munden që Shqipëria e shqiptarët të mos ndëshkohen për të tretën herë.
Kryetari Rama theksoi se ka marrë përgëzimet e komisionerit Stefan Fule për rolin e opozitës parlamentare për integrimin, shtoi se Statusi i kandidatit është një domosdoshmëri për të mos e lënë Shqipërinë të izolohet në batakun e keqqeverisjes e të krizës së gjithanshme që ka pllakosur vendin për shkak të keqqeverisjes.

Në fjalën e tij Edi Rama ka theksuar: "E përsëris, ne do të bëjmë gjithçka mundemi në mbrojtje të interesit kombëtar që në këtë periudhë përputhet katërçipërisht me nevojën e vendit për statusin e kandidatit në BE. Po ashtu, ne socialistët besojmë se duke marrë statusin do t’i jepnim Shqipërisë e shoqërisë sonë një pikëmbështetje të fortë, për të përballuar sfidat që na presin, posaçërisht pas zgjedhjeve të qershorit, kur do të na duhet të qeverisim për të rimëkëmbur ekonominë, për të rivendosur demokracinë dhe për të ribashkuar Shqipërinë me Europën duke ripërtërirë shoqërinë shqiptare."

Dhe duke përfunduar fjalën e tij ai përsëri është shprehur: "Do ta mishërojmë përmes një Rilindje Shqiptare me votën e lirë të atyre që në zgjedhjet e ardhshme pa asnjë dyshim në shumicë dërrmuese do t’i japin fund rrënimit të mëtejshëm."

KOMENTE